U vra 5 vite më parë, shpallet qytetar nderi në Kamzë ish-komisari Artan Cuku

10 Prill 2022, 12:40| Përditesimi: 10 Prill 2022, 15:33

  • Share

Nga sot Pallati i Kulturës në Kamëz do të mbajë emrin e Dëshmorit të Atdheut Artan Cuku. 

Në një ceremoni të mbajtur në ambientet e kësaj godine ishin të pranishëm familjarët e Cukut, ninistri i Drejtësisë Ulsi Manja dhe drejtori i Policisë së Shtetit Gledis Nano.

Gjatë ceremonisë fjalën i pari e mori ministri. 

“Artan Cuku, ai nuk është vetëm qytetar nderi i Kamzës dhe i Dibrës. Ai kudo që ka shërbyer, mund të shpallet qytetar nderi. Zonja Cuku Të jeni krenare për bashkëshortin që keni pasur. Policët janë aty për të garantuar rendin dhe sigurinë. Dëshmorët e Atdheut janë pjesa më e ndërgjegjshme e vendit. Sado e shkurtër të ketë qenë koha, ju jeni gruaja e një dëshmori të kombit dhe keni 2 fëmijë të mrekullueshëm bashkë.”, tha ai.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano i vuri theksin rëndësisë së detyrave që kanë punonjësit e shtetit, ndërsa theksoi se ata sakrifikojnë gjithçka për të shpëtuar jetë.

“Nuk ka si të mos jem i emocionuar dhe krenar që gjendem sot në këtë ceremoni që kërkon të vlerësojë jetën dhe veprën e policisë së shtetit. Nisma për të risjellë në vëmendje emrin dhe veprën e tyre po troket në ndërgjegjen e çdo qytetari për më shumë vlerësim për figurat e policisë jo vetëm kur mbrojnë jetën me jetë por edhe kur janë të gjallë.

Nuk duhet të harrojmë këto sakrifikcat të burrave dhe grave të policisë së shtetit. Nga sot Pallati i Kulturës në Bashkinë e Kamzës shënon një ditë tejet të veçantë sepse po pagëzohet me emrin e nderuar të dëshmorit Artan Cuku. Në gjithë këto vite ne pamë me sytë tanë që krimi nga ka goditur. Policia e shtetit do të jetë kudo për të vënë para drejtësisë kriminelët.  Si drejtori i Policisë së Shtetit e them se do bëjmë çfarë është e mundur për punonjësit e policisë dhe familjarët e tyre.

Faleminderit për emrin e Artan Cukut pallatit të Kulturës në Kamëz dhe shpalljen e tij qytetar nderi. Shumë është folur por edhe më shumë do të flitet për Artan Cukun. Jam i bindur”, tha ai

Ish-kryekomisari Artan Cuku u ekzekutua me armë në hyrje të liqenit artificial në 8 prill të vitit 2017.  Nga hetimet e prokurorisë rezultoi se shkak i vrasjes së ish-komisar Artan Cukut është hakmarrja, pasi në kohën që ai mbante postin e drejtorit të policisë Vlorë, rihapi një vrasje të bujshme në këtë qark dhe vuri në pranga vrasësin Bledar Jambelli, i cili çuditërisht u lirua më pas nga gjykata. Artan Cuku është shpallur "Dëshmor i Atdheut" më 9 Prill 2019, titull që iu dorëzua bashkëshortes së tij nga ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj.

J.GJ.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?