Dy ditë pasi ish-kryeministri i Japonisë Shinzo Abe u vra në një takim me zgjedhësit, Partia e tij Liberal Demokratike dhe aleatët e saj fituan në zgjedhjet parlamentare që u dhanë atyre një shans për të ndjekur ambicien e Abe-s, rishikimin e Kushtetutës pacifiste të Japonisë.
Liberal Demokratët dhe partnerët e tyre të koalicionit morën një fitore dërrmuese prej mbi 2 të tretat e votave.
Ata tani mund të ndryshojnë një klauzolë në Kushtetutë, të imponuar nga pushtuesit amerikanë të pasluftës, që heq dorë nga lufta. Ky synim i gjatë do t'i hapte dyert Japonisë për t'u bërë një fuqi ushtarake, e aftë për udhëheqje globale.
Sipas mediave vendase, vdekja e Shinzo Abe duket se ka ndihmuar në rritjen e lehtë të pjesëmarrjes së votuesve, në mbi 52 për qind, nga rreth 49 për qind në zgjedhjet e fundit në 2019.
Shinzo Abe, ish Kryeministri i Japonisë u sulmua me armë zjarri gjatë një takimi elektoral në qytetin Nara dy ditë më parë. Ish-Kryeministri 67-vjeçar ishte në gjendje kome, por mjekët nuk mundën që ta shpëtonin.
Abe kishte humbur gjak për shkak të dy plumbave që mori në qafë dhe në gjoks nga një distancë e afërt me armë të modifikuar. Autori, një burrë rreth të 40-ve, u arrestua menjëherë në vendngjarje dhe nuk bëri rezistencë.