Zyrtarisht prokuroria e Korçës thotë se 25 vjeçari Fridman Xhaferraj është vrarë në Korçë dhe më pas trupi i tij është hedhur në rezervuarin e Gjançit.
Sipas prokurorisë Xhaferraj është larguar nga shtëpia në datën 22 maj, një dite pas ndryshimit të masës së sigurisë nga 'arrest me burg' në arrest shtëpie. Në datën 23 maj policia ka shkuar në shtëpinë e 25 vjeçarit për të kontrolluar zbatimin e masës së sigurisë, por nuk e ka gjetur. I vëllai i ka deklaruar policisë që Fridman është nisur për të punuar në Greqi me disa persona të tjerë.
Burime të prokurorisë pohojnë se 25 vjeçari është vrarë për larje hesapesh. Shkak për vrasjen dyshohet të jenë konfliktet e mëparshme të viktimës. Dyshohet se autor është Lulëzim Spahija dhe një 26 vjecar me iniciale K.B . Të dy nga Lushnja, dhe që tashmë janë shpallur në kërkim.
Viktima kishte qëndruar tre net në një hotel së bashku me dy autorët e dyshuar për vrasjen e tij. Të tre ishin strehuar në një prej hoteleve në periferi të qytetit të Korçës, në datat 25-26 dhe 27 maj. Policia mbërriti në hotel, pasi në xhepin e pantallonave të viktimës u gjetën kartëvizitat e hotelit në fjalë.
Së bashku me Xhaferrajn dhe Spahian, në hotel me ta, ka qëndruar edhe shtetasi me iniciale K.B, i dyshuar edhe ky nga policia për veprën penale të vrasjes me dashje. Pas datës 27 policia për momentin nuk ka asnjë të dhënë për vendndodhjet apo lëvizjet e viktimës dhe dy të njohurve të tij, tashmë në pozicionin e të dyshuarve. Viktima Fridman Xhaferraj u gjet me datë 13 qershor nga një banor i zonës, i mbytur në rezervuarin e Gjançit.