Sot 25 vite nga Masakra e Reçakut! Kurti e Osmani kërkojnë drejtësi: 45 shqiptarë u vranë në mënyrë brutale, Serbia mohon masakrën

15 Janar, 09:23| Përditesimi: 15 Janar, 15:55

  • Share

Kosova përkujton sot 25-vjetorin e masakrës në Reçak, ku forcat serbe vranë mbi 45 civilë të pafajshëm shqiptarë. Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, kryeparlamentari Glauk Konjufca, si çdo vit bënë homazhe në varreza, për një ndër masakrat më të tmerrshme ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës.

I pranishëm ishte edhe ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, i cili i tregoi botës se çfarë kishte ndodhur dhe e cilësoi Masakrën në Reçak si krim kundër njerëzimit.

Ndërkohë që edhe qytetarë të shumtë zhvilluan homazhe në Reçak. Krerët e shtetit të Kosovës njëzëri kërkuan drejtësi, ndërsa thanë se Serbia u përpoq të deformonte të vërtetën dhe se ende e mohon atë masakër.

Pas homazheve, Osmani ka thënë se shqiptarët u masakruan nga regjimi i Sllobodan Millosheviçit.

“Jemi këtu jo vetëm për të nderuar viktimat e regjimit gjenocidal të Millosheviçit, por për të përsëritur thirrjen tonë për drejtësi. Drejtësia i jep kuptim paqes, lirisë, e është e domosdoshme për pajtim. Edhe sot jemi këtu për të nderuar të rënët, të gjithë ata që duarthatë u masakruan në mënyrë brutale, duke kryer krime kundër njerëzimit nga regjimi i Millosheviçit”, tha Osmani.

Ajo deklaroi që vetëm drejtësia i jep kuptim paqes teksa ritheksoi këtë detyrim e kërkesë të shqiptarëve të Kosovës.

“Sot kemi nevojë që ta themi vazhdimisht e kudo se në këtë fshat të vogël me histori të madhe u vranë civilë të pambrojtur e të paarmatosur, ndaj thirrja për drejtësi për ta është në funksion të mbrojtjes së dinjitetit njerëzor të viktimave dhe të familjeve të tyre. Kërkimi i drejtësisë nuk është thjesht një kërkesë, është një detyrë e shenjtë që kapërcen kufijtë, kapërcen etnitë, dhe përkatësisë politike”, ka thënë Osmani në ceremoninë përkujtimore për viktimat e kësaj masakre në 25-vjetorin e kësaj ngjarjeje. “Familjet e të masakruarve të Reçakut të cilët vazhdojnë të mbajnë barrën e humbjes dhe dhimbjes së anëtarëve të tyre meritojnë që autorët e këtij krimi kundër njerëzimit të dalin para drejtësisë”.

Kryeministri Albin Kurti falënderoi ish-ambasadorin e misionit të OSBE-së në Kosovë, William Walker, i cili i tregoi botës se çfarë kishte ndodhur në këtë vend.

“Masakra e Reçakut këtu e 25 vjet më parë, ku u vranë 45 civilë shqiptarë e tronditi si opinionin publik ndërkombëtar, gjithashtu edhe diplomacinë botërore dhe e bëri të domosdoshëm ndërhyrjen ushtarake të NATO-s për të ndalur gjenocidin e Serbisë në Kosovë. Kur ndodhi masakra e Reçakut, ambasadori William Walker si udhëheqës i misionit të OSBE-së në Kosovë erdhi këtu te fshatarët dhe e foli të vërtetën, tha kjo është masakër dhe krim kundër njerëzimit”.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se Masakra e Reçakut është ndër aktet më mizore të regjimit serb.

“Ky ishte njëri ndër aktet më mizore të regjimit së Serbisë, e po ashtu për botën demokratike shënoi edhe vijën e kuqe për Serbinë okupatore që i solli edhe bombardimet e NATO-s pastaj. Gjë që i hapi rrugë edhe çlirimit të plotë të Kosovës. Pas Reçakut, bota demokratike e kuptoi se gjuha të cilën e njeh Serbia është gjuha e forcës, sepse nuk do të ndalej lufta dhe masakrat që po i kryente gjithandej Kosovës”, tha Konjufca.

Masakra e Reçakut

Më 15 janar 1999, në fshatin Reçak u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur. Në orët e hershme të mëngjesit të 15 janarit Reçaku u zgjua i rrethuar. Sipas dëshmitarëve, rreth orës 6:30 forcat serbe me artileri të rëndë kanë filluar të bombardojnë fshatin. Pas ndërprerjes së bombardimeve, forcat serbe janë futur në fshat dhe kanë filluar bastisjet. Masakra në Reçak tmerroi botën dhe zgjoi ndërgjegjen e diplomacisë botërore duke u mobilizuar për Kosovën.

Tmerret e shkaktuara në fshatin Reçak sollën në vëmendje të gjithë botën e civilizuar dhe shpalosi të vërtetën rreth planit gjenocidal të ish-kriminelit Sllobodan Millosheviç. Për herë të parë nga skenat rrëqethëse dhe masakrat barbare që bënë forcat serbe në popullatën civile shqiptare, kishin tmerruar edhe misionarë dhe diplomatë të botës.

Ora 15:54
25 vite nga Masakra e Reçakut, Meta: Nderojmë sot kujtimin e viktimave të pafajshme

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar për 25-vjetorin e Masakrës së Reçakut. Meta shkruan se nderojmë sot më përulje dhe respekt kujtimin e viktimave të pafajshme të kësaj mizorie të kryer në zemër të Europës.

Mirënjohje po ashtu shton Meta, edhe për kontributin e Ambasadorit Walker dhe misionit të OSBE-së në Kosovë që zbuloi dhe i tregoi botës të vërtetën, duke e përkufizuar saktë këtë masakër të regjimit kriminal serb: Krim kundër njerëzimit! Gjaku i Reçakut nuk bëhet ujë!

‘Në 25-vjetorin Masakrës së Reçakut të kryer nga xhelati i Ballkanit, Sllobodan Milloseviç, nderojmë sot me përulje dhe respekt kujtimin e viktimave të pafajshme të kësaj mizorie të kryer në zemër të Europës.

Mirënjohje përjetë kontributit të Ambasadorit Walker dhe misionit të OSBE-së në Kosovë që zbuloi dhe i tregoi botës të vërtetën, duke e përkufizuar saktë këtë masakër të regjimit kriminal serb: Krim kundër njerëzimit! Gjaku i Reçakut nuk bëhet ujë!’- tha Meta.

Ora 14:36
25 vjet nga masakra e Reçakut, Rama: Nderim për viktimat e këtij spastrimi etnik që tronditi botën

Kryeministri Edi Rama ka përkujtuar masakrën e Reçakut, ndërsa shkruan se në këtë 25-vjetor nderimi shkon për viktimat e këtij spastrimi etnik të Kosovës që tronditi botën.

“25 vite nga Masakra e Reçakut! Nderim për viktimat e krimit shtetëror të luftës për spastrimin etnik të Kosovës, që tronditi mbarë botën”, shkruan Rama.

Ora 14:21
Basha përkujton masakrën e Reçakut: Simbol i sakrificave së shqiptarëve të Kosovës për liri

1705325861_bashaaa.jpg

Kreu i PD, Lulzim Basha ka përkujtuar masakrën e Reçakut. Basha shkruan se masakra e Reçakut mbetet simbol i sakrificave së shqiptarëve të Kosovës për liri. Ai thekson se drejtësia mbetet jetike për t’u siguruar që historia të mos përsëritet sërish.

“Masakra e Reçakut është një ndër ngjarjet më tragjike dhe më të dhimbshme të rrugëtimit të Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë.

Martirizimi i 45 njerëzve të pafajshëm 25 vite më parë, shënoi një pikë kthese në ndërgjegjësimin e komunitetit ndërkombëtar për masakrat dhe genocidin që regjimi i Milosheviçit po kryente në Kosovë.

Masakra e Reçakut mbetet simbol i sakrificave së shqiptarëve të Kosovës për liri. Drejtësia për të dhe gjithë masakrat vrasjet dhe torturat e ushtruara ndaj popullsisë civile të Kosovës është jetike për t’u siguruar që historia të mos përsëritet sërish dhe për të ndërtuar një të ardhme më të mirë, të bazuar në paqe dhe respekt të ndërsjellë. I paharruar kujtimi i martirëve të Reçakut”, shkruan Basha.

Ora 14:19
25 vjet nga masakra e Reçakut, Igli Hasani: S’do harrohet kurrë, mizori të tilla nuk duhet të përsëriten më

1703761334_hasani.jpg

Ministri i Jashtëm, Igli Hasani ka përkujtuar masakrën e Reçakut. Hasani shkruan se kjo ditë është një motivim për angazhimin për liri e paqe, ndërsa thekson se mizori të tilla nuk duhet të përsëriten më.

“25 vjet nga masakra e Reçakut, një ngjarje tragjike në historinë e Kosovës. Sot, përkujtojmë me nder dhe respekt të 45 shqiptarët e Kosovës të cilët humbën jetën në mënyrë të pafajshme nga një akt barbar që tmerroi botën dhe që akoma dhe sot rëndon në zemrat tona.

Kjo ditë është një motiv për të vazhduar pandalur angazhimin tonë për paqe,liri dhe drejtësi. Mizori të tilla nuk duhet të përsëriten më. 15 Janari 1999 nuk do të harrohet kurrë”, shkruan Hasani.

Ora 11:11
Masakra e Reçakut, Begaj: 15 janari 1999 zgjoi botën për reflektim ndaj masakrave barbare të regjimit të Millosheviçit

1705313658_zer.jpg

Në fshatin Reçak, rreth 30 kilometra larg Prishtinës, forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë, më 15 janar të vitit 1999. Numri më i madh i viktimave u gjet në Kodrën e Bebushit, ndërsa të vrarë kishte edhe në pjesë të tjera të fshatit.

“15 janari 1999, zgjoi botën për reflektim ndaj masakrave barbare që kryheshin në Kosovë. Kjo kujtesë sot është motiv i fortë për të mbrojtur paqen, sigurinë, lirinë e dinjitetin njerëzor nga çdo makineri dhune që ushqehet nga racizmi, ekspansioni dhe armiqësia ndaj tjetrit” shkruan presidenti I Shqipërisë Bajram Begaj.

Sot një çerekshekulli nga masakra e Reçakut, lutemi për shpirtin e civilëve të pafajshëm, viktima të genocidit dhe të krimeve kundër njërëzimit të kryera nga regjimi i Sllobodan Millosheviç në Kosovë shkruan më tej presidenti në postimin e tij në facebook duke e shoqëruar me foton kur ambasadori Walker nderohet  me titullin “Kalorësi i Urdhrit të Flamurit” 

Diplomati amerikan, William Walker, i cili në atë kohë ishte shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, pas një dite të masakrës, kishte vizituar atë zonë dhe u bë dëshmitari i parë ndërkombëtar që raportoi për gjenocidin serb në Kosovë.

Ora 11:02
Kurti falënderon Walkerin nga Reçaku: Tha të vërtetën në një moment vendimtar për popullin tonë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në 25-vjetorin e Masakrës së Reçakut, tha se kjo masakër tronditi si opinionin publik ndërkombëtar, gjithashtu edhe diplomacinë botërore.

Ai u shpreh se në atë kohë, ishe ambasadori William Walker, si udhëheqës i OSBE-së në Kosovë, i cili, siç tha Kurti foli të vërtetën dhe tha “kjo është masakër dhe është krim kundër njerëzimit”.

“Masakra e Reçakut, këtu e 25 vjet më parë, kur u vranë 45 civilë shqiptarë, e tronditi si opinionin publik ndërkombëtar, gjithashtu edhe diplomacinë botërore dhe e bëri të domosdoshëm ndërhyrjen ushtarake të NATO-s për ta ndalur gjenocidin e Serbisë në Kosovë. Kur ndodhi Masakra e Reçakut, ambasadori Ëilliam Ëalker, si udhëheqës i OSBE-së në Kosovë, erdhi këtu tek fshatarët dhe e foli të vërtetë, tha “kjo është masakër dhe është krim kundër njerëzimit”.

“Dihet që e vërteta është armiku më i madh i diktatorëve dhe shovenistëve. Andaj, edhe sot e kësaj dite, amasadori William Walker vazhdon të jetë ndërkombëtari më i sulmuar dhe më i urryer në Serbi, ku vazhdon të dominojë një regjim autoritar”, u shpreh ai.

Kurti gjithashtu bëri një falënderim për Walkerin, duke thënë se në një moment vendimtar  për popullin tonë, ai e foli të vërtetën.

“Më 15 janar, në një dimër jashtëzakonisht të ftohtë pat ndodhur ky krim makabër, ndërkaq varrimi i 45 civilëve ka ndodhur vetëm katër javë më vonë, sepse ka pasur luftë të madhe për kufomat. I kemi edhe 11 ushtarë të UÇK-së që kanë rënë në betejë për mbrojtjen e trupave të masakruar nga Serbia dhe ato katër javë tregojnë që Serbia është përpjekur ta deformojë të vërtetën, ta justifikojë krimin”.

“Prandaj edhe njëherë po e theksoj rëndësinë e të vërtetës nga mendja, sytë, veshët dhe goja e ambasadorit William Walker, të cilit ne i jemi përjetë falënderues e mirënjohës për shkak se në një moment vendimtar, historik për popullin tonë e foli të vërtetën dhe vetëm të vërtetë. Faleminderit ambasador Walker”, u shpreh Kurti.

Ora 11:00
Masakra e Reçakut, Osmami-Walkerit: Faleminderit që u bëre zëri ynë kur nuk kishim zë!

Presidentja Vjosa Osmani ka bërë sot homazhe për 25-vjetorin e Masakrës së Reçakut, dhe me këtë rast e ka falënderuar sërish ish-shefin e Misionit Verifikues të OSBE-së, William Walker, që i dha jehonë asaj që ndodhi më 1999.

“Jemi këtu për të falënderuar sërish ambasadorin [William] Walker që u bë zëri i të gjitha viktimave në një kohë ku ne fatkeqësisht nuk kishim zë”, ka thënë Osmani në fjalën e saj në 25-vjetorin e Masakrës së Reçakut.

“Në një kohë kur kishim nevojë për mbrojtjen e botës demokratike dhe ishte pikërisht Masakra e Reçakut ajo që e ndërkombëtarizoi çështjen e Kosovës dhe nëpërmjet zërit të ambasadorit Walker u dëgjua edhe klithma e mijëra e mijëra viktimave shqiptare anekënd Kosovës”.

Osmani i shprehu mirënjohje të thellë Walkerit edhe për punën e tij pas luftës në Kosovë ku ka insistuar për të vërtetën që ngjau në këtë fshat të Shtimes pavarësisht mohimeve të Serbisë.

Ora 10:57
25 vjet nga Masakra e Reçakut, Konjufca: Një nga aktet më mizore të gjenocidit të Serbisë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca në 25-vjetorin e Masakrës së Reçakut është shprehur se ky ishte njëri ndër aktet më mizore të gjenocidit të Serbisë.

Konjufca u shpreh se pas Reçakut e gjithë bota demokratike e kuptoi se gjuha të cilën e njeh Serbia është vetëm gjuha e forcës.

Ai tha se do të mblidhen çdo 15 janar, për t’i kujtuar martirët dhe dëshmorët e Reçakut.

“Jemi  mbledhur këtu pra në 25-vjetorin e Masakrës së Reçakut, ky ishte njëri ndër aktet më mizore të gjenocidit të Serbisë, e poashtu për botën demokratikë shënoi edhe vijën e kuqe për Serbinë okupatore e cila i solli edhe bombardimet e NATO-s pastaj, gjë që i hapi rrugë edhe çlirimit të plotë të Kosovës”.

“Pas Reçakut e gjithë bota demokratike e kuptoi se gjuha të cilën e njeh Serbia është vetëm gjuha e forcës, sepse përndryshe nuk do të ndalej lufta në Kosovë dhe masakrat që po i kryente gjithandej Kosovës. Gjithmonë do të mblidhemi këtu, çdo 15 janar, për t’i kujtuar edhe martirët e Reçakut, por të mos harrojmë edhe dëshmorët të cilët ranë në përpjekje për ta mbrojtur popullatën civile të Reçakut. Lavdi martirëve dhe lavdi dëshmorëve të Reçakut”, është shprehur ai.

Ora 10:56
Haradinaj: Masakra e Reçakut mbetet simboli i krimit së gjenocidit që aparatura shtetërore ushtarake serbe kreu në Kosovë

1705312578_harad.PNG

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, me rastin e 25-vjetorit të Masakrës së Reçakut deklaroi se Kosova duhet të jap kontributin e saj duke qenë në rresht si anëtare e NATO-s së udhëhequr nga miqtë tanë, SHBA-të.

Ai e ka cilësuar masakrën si një akt ç'njerëzor që tronditi mbarë botën demokratike.

“Para 25 vitesh, një akt ç'njerëzor tronditi mbarë botën demokratike dhe shtyri Perëndimin të mobilizohej dhe të ndalojë me forcë shfarosjen e një populli të tërë. Masakra e Reçakut, mbetet simboli i krimit gjenocidal që aparatura shtetërore ushtarake serbe kreu në Kosovë. Ajo bëri kthesën e madhe historike duke prekur thellë në ndërgjegjjen e kombeve të fuqishme për të lëvizur me NATO-n në krye me ShBA-të”, tha Haradinaj.

Po ashtu Haradinaj ka shtuar se ata që u flijuan u bënë themel i lirisë së Kosovës.

“Sot, në nderim martirëve të kësaj masakre, kam bërë homazhe në Kompleksin Përkujtimor në Reçak. Me respekt të thellë do të kujtojmë gjithmonë ata që me flijimin e tyre u bënë themelet e lirisë sonë”, tha Haradinaj.

Kreu i AAK-së tha se Kosova duhet të jap kontributin e saj duke qenë në rresht si anëtare e NATO-s së udhëhequr nga miqtë tanë, ShBA-të.

“Mirënjohës përjetë Ambasadorit amerikan, William Walker, që e përkufizoi këtë masakër si krim kundër njerëzimit. Në të njëjtën kohë, falenderojmë Amerikën e cila ishte krah nesh në të gjitha periudhat historike. Në këtë përvjetor të masakrës së Reçakut, theksohet nevoja për stabilitet dhe më shumë paqe në rajon e botë. Kosova është e gatshme të japë kontributin e saj duke qenë në rresht si anëtare e NATO-s së udhëhequr nga miqtë tanë, ShBA-të”, tha Haradinaj.

Ora 10:43
Ishte zëri i masakrës së Reçakut, Walker në homazhe: Kosova gëzon demokraci falë sakrificës së shumë djemve

Ish-amabasdori i misionit të OSBE-së në Kosovë, William Walker ka bërë homazhe sot në varrezat e 45 shqiptarëve që u vranë në Reçak nga forcat serbe.

Në 25 vjetorin e kësaj masakre, Walker ka thënë se nga sakrifica e shumë djemve, Kosova sot gëzon demokraci.

“Kam ardhur t’u them tungjatjeta miqve të mi në Reçak, ku disa prej tyre i njoh që 25 vjet. Disa prej tyre janë ndarë nga jeta dhe siç mund ta shihni asaj rruge jam edhe unë”, ka thënë Walker.

Ai ka shtuar se është hera e parë e tij që vjen në Reçak me bastun në duar, ndërsa u shpreh krenar që ndodhet sërish aty. 

“Kjo është hera e parë që duhet të vij me bastun, por prapë dua të jem në Reçak në çdo rast që mundem. Për mua është shumë emocionuese. Është një histori e mrekullueshme për të cilën populli i këtij fshati fatkeqësisht është dashur të sakrifikojë shumë djem të fshatit. Ju tani keni një Republikë të Kosovës, një president, një kryeministër, një demokraci plotësisht funksionale dhe jam shumë krenar që jam këtu me ju në këtë vend që do të thotë shumë për mua, për popullin e Reçakut dhe për të gjithë Kosovën”, është shprehur ai.

Ora 10:34
Ambasadori i SHBA: Askush të mos e mohojë çfarë ka ndodhur në Reçak

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se askush nuk duhet harruar dhe mohuar çfarë ka ndodhur në Reçak.

Ai ka shkruar se askush nuk duhet të mohojë e as harrojë pse Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët dolën në mbrojtje të Kosovës.

“Sipas fjalëve të Dr. Martin Luther King: ‘Padrejtësia kudo është një kërcënim për drejtësinë kudo’. Askush të mos harrojë apo mohojë atë që ndodhi në Reçak, apo pse Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë dolën në mbrojtje të popullit të Kosovës. E mbaj mend mirë atë ditë”, ka shkruar ai.

 

Ora 10:26
Osmani: Kërkimi i drejtësisë për Masakrën e Reçakut, detyrë e shenjtë që kapërcen kufijtë etnikë dhe politikë

Presidentja Vjosa Osmani ishte e pranishme në homazhet e 25-vjetorit të Masakrës së Reçakut. Osmani ka thënë që kërkimi për drejtësi për Masakrën e Reçakut është detyrë e shenjtë që kapërcen etnitë dhe përkatësitë politike.

Ajo deklaroi që vetëm drejtësia i jep kuptim paqes teksa ritheksoi këtë detyrim e kërkesë të shqiptarëve të Kosovës.

“Sot kemi nevojë që ta themi vazhdimisht e kudo se në këtë fshat të vogël me histori të madhe u vranë civilë të pambrojtur e të paarmatosur, ndaj thirrja për drejtësi për ta është në funksion të mbrojtjes së dinjitetit njerëzor të viktimave dhe të familjeve të tyre. Kërkimi i drejtësisë nuk është thjesht një kërkesë, është një detyrë e shenjtë që kapërcen kufijtë, kapërcen etnitë, dhe përkatësisë politike”, ka thënë Osmani në ceremoninë përkujtimore për viktimat e kësaj masakre në 25-vjetorin e kësaj ngjarjeje.

“Familjet e të masakruarve të Reçakut të cilët vazhdojnë të mbajnë barrën e humbjes dhe dhimbjes së anëtarëve të tyre meritojnë që autorët e këtij krimi kundër njerëzimit të dalin para drejtësisë”.

“Ata dhe shteti ynë janë në anën e së vërtetës e kjo e vërtetë është e përmbledhur më së miri në fjalitë e ambasadorit [Ëilliam] Ëalker: Në Reçak ka ndodhur krim kundër njerëzimit.  Në Reçak edhe njëherë sikurse edhe në çdo masakër kundër civilëve në vendin tonë është shpërfaqur qëllimi i regjimit të atëhershëm serb për të shfarosur popullin shqiptar në Kosovë”.

“Thirrja për drejtësi riafirmon besimin tonë për triumfin e së vërtetës ndaj mizorisë, përgjegjësisë kundrejt pandëshkueshmërisë dhe njerëzores kundër urrejtjes”.

Ora 10:21
Masakra e Reçakut, Osmani: 45 shqiptarë u masakruan në mënyrë brutale

1705310474_masa.PNG

Albin Kurti, Vjosa Osmani dhe Glauk Konjufca

Kosova përkujton sot 25-vjetorin e masakrës në Reçak, ku forcat serbe vranë mbi 45 civilë. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nderuar sot viktimat e Masakrës së Reçakut. Osmani ka thënë se shqiptarët u masakruan nga regjimi i Sllobodan Millosheviçit.

“Jemi këtu jo vetëm për të nderuar viktimat e regjimit gjenocidal të Millosheviçit, por për të përsëritur thirrjen tonë për drejtësi. Drejtësia i jep kuptim paqes, lirisë, e është e domosdoshme për pajtim. Edhe sot jemi këtu për të nderuar të rënët, të gjithë ata që duarthatë u masakruan në mënyrë brutale, duke kryer krime kundër njerëzimit nga regjimi i Millosheviçit”, tha Osmani.

Ora 09:51
Walker homazhe në Reçak, Kurti: Ndërkombëtari më i urryer në Serbi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka nderuar sot viktimat e Masakrës së Reçakut, ku ka falënderuar ish-ambasadorin e misionit të OSBE-së në Kosovë, William Walker, i cili i tregoi botës se çfarë kishte ndodhur në këtë vend.

Ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, e pati cilësuar asokohe Masakrën në Reçak si krim kundër njerëzimit.

“Masakra e Reçakut këtu e 25 vjet më parë, ku u vranë 45 civilë shqiptarë e tronditi si opinionin publik ndërkombëtar, gjithashtu edhe diplomacinë botërore dhe e bëri të domosdoshëm ndërhyrjen ushtarake të NATO-s për të ndalur gjenocidin e Serbisë në Kosovë. Kur ndodhi masakra e Reçakut, ambasadori William Walker si udhëheqës i misionit të OSBE-së në Kosovë erdhi këtu te fshatarët dhe e foli të vërtetën, tha kjo është masakër dhe krim kundër njerëzimit. E dimë që e vërteta është armiku më i madh i diktatorëve dhe shovinistëve andaj edhe sot e kësaj dite ambasadori William Walker vazhdon të jetë ndërkombëtari më i sulmuar edhe më i urryer në Serbi, ku vazhdon të dominojë një regjim autoritar me ç’rast ish-ministri i informatave të asaj kohe sot është president i Serbisë”, tha Kurti.

Kurti ka përkujtuar edhe 11 ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët kanë rënë në betejë duke mbrojtur trupat e masakruar në këtë fshat.

“Më 15 janar në një dimër jashtëzakonisht të ftohtë pati ndodhur ky krim makabër, ndërkaq varrimi i 45 civilëve ka ndodhur vetëm katër javë më vonë sepse ka pasur luftë të madhe për Kosovën. I kemi edhe 11 ushtarë të UÇK-së që kanë rënë në betejë për mbrojtjen e trupave të masakruar nga Serbia dhe ato katër javë tregojnë se Serbia është përpjekur ta deformojë të vërtetën, ta justifikojë krimin dhe prandaj edhe një herë po e theksoj rëndësinë e të vërtetës të ambasadorit William Walker, të cilit i jemi mirënjohës që në një moment historik për popullin tonë e foli vetëm të vërtetën”, tha Kurti.

Mëngjesin e sotëm homazhe kanë bërë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe të afërm e familjarë të viktimave. 

S.S//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?