Endrit Braimllari, gjatë një interviste në Report Tv
Ish-drejtuesi i strukturave të partisë së Lirisë (ish-LSI), tashmë pjesë aktive e PS-së edhe si kandidat në zgjedhjet parlamentare të 11 majit për kryqytetin në listën e hapur, Endrit Braimllari, ka reaguar sot për zgjedhjen si nënkryetar i Këshillit Bashkiak të Tiranës gjatë mbledhjes së sotme.
Ai e quan përgjegjësi të shtuar, teksa falenderoi anëtarët e këshillit për besimin që i dhanë. Brahimllari bëri thirrje për largim nga gjuha e llogores politike dhe lënien mënjanë të ndasive, me qëllim bashkëpunimin për ta çuar para jo vetëm Tiranën, por edhe Shqipërinë Europiane.
Reagimi i plotë i Endrit Braimllarit:
“Urime dhe suksese Megi Fino për zgjedhjen në krye të Këshillit Bashkiak të Tiranës! Të gjithë së bashku le të dëshmojmë se vetëm përmes punës dhe frymës së bashkëpunimit mund të arrijmë që t’i përgjigjemi kërkesës së qytetarëve për të miratuar vendime në të mirë të qytetit.
Qytetarët kanë nevojë për një frymë europiane, për bashkëveprim dhe shërbim ndaj tyre.
Gjuha e llogores politike dhe ndasitë duhet të lihen mënjanë, kur bëhet fjalë për zgjedhje dhe zgjidhje në sherbim të qytetit dhe qytetareve. Përpara se te jemi politikanë, jemi qytetarë të këtij vendi, jemi prindër të atyre fëmijëve, të cilët kanë nevojë të ecin me ritmet europiane, për një zhvillim pandalshëm për Shqipërinë 2030.
Dua të falenderoj të gjithë anëtarët e Këshillit Bashkiak, të cilët më besuan në detyrën e nënkryetarit të Këshillit Bashkiak. Një përgjegjësi e shtuar për të qenë pranë çdo qytetari të Tiranës, duke vazhduar misionin e shërbimit ndaj tyre.
Gjithashtu shpreh përgëzime dhe mirënjohje për drejtuesen e deritanishme të Këshillit Bashkiak të Tiranës, znj. Romina Kuko, e cila përmes një gjuhe pozitive mundësoi lehtësinë e bashkëpunimit mes këshilltarëve, nxiti angazhimin si përfaqësues të qytetarëve, me qëllim rritjen e Këshillit si institucion vendimmarrës.
Pikërisht kjo gjuhë bashkëpunimi nevojitet për të çuar përpara punët e frytshme për Tiranën dhe Shqipërinë Europiane”.
Lajmi kryesor:
Megi Fino zgjidhet kryetare e Këshillit Bashkiak Tiranë, Endrit Braimllari nënkryetar! Debate në mbledhje, përjashtohet Endri Shabani
A.Q/ReportTv.al