Politikë
Bota

SHBA urdhëron diplomatët: Asnjë koment për zgjedhjet në vendet e huaja! Berisha del 'huq' pas ankimit me kompaninë lobuese për 11 majin

18 Korrik, 08:48| Përditesimi: 18 Korrik, 15:41

  • Share

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio ka urdhëruar diplomatët amerikanë që të mos komentojnë mbi drejtësinë, integritetin dhe legjitimitetin e zgjedhjeve të huaja, duke shënuar një largim nga politika tradicionale e SHBA për promovimin e demokracisë dhe zgjedhjeve të lira në botë.

Në urdhrin, e dërguar në të gjitha postet diplomatike amerikane në një dokument të DASH më 17 korrik, thuhet se Departamenti nuk do të lëshojë më deklarata në lidhje me zgjedhjet ose postime nga Uashingtoni, përveç nëse ka një interes "të qartë dhe bindës" të politikës së jashtme. Çdo deklaratë, thuhet në dokument, duhet të kufizohet vetëm me urimin e fituesit dhe vënien e theksit te interesat e përbashkëta të politikës së jashtme. 

“Kur është e përshtatshme të komentojmë për zgjedhjet e huaja, mesazhi ynë duhet të jetë i shkurtër, i përqendruar në përgëzimin e kandidatit fitues dhe, kur është e përshtatshme, në vënien në dukje të interesave të përbashkëta të politikës së jashtme”, thuhet në dokument, ku theksohet se mesazhet që do të bëhen duhet të shmangin komentet mbi ndershmërinë apo legjitimitetin e procesit zgjedhor. 

Pra, SHBA nuk do të bëjë më rolin e 'gjykatësit' për proceset zgjedhore në vende të tjera, mes të cilëve edhe Shqipëria. Një urdhër i tillë "prek" gjithashtu edhe tentativat lobuese të Sali Berishës në SHBA, pasi para zgjedhjeve iu zbulua kontrata prej 6 milionë dollarëshe me kompaninë "Continental Strategy". 

Kështu, Berisha, pas evropianëve, duket se merr një goditje edhe nga amerikanët duke i shuar shpresat për të konsideruar zgjedhjet e 11 majit të pavlefshme. Kujtojmë që më pak pas zgjedhjeve, më 21 maj, ai përdori kompaninë lobuese në SHBA për t'u ankuar në DASH, duke kërkuar hetim ndërkombëtar dhe qeveri teknike. 

Dokumenti i referohet fjalimit të Presidentit Donald Trump në Riad më 13 maj, ku ai dënoi “ndërhyrjen perëndimore” në punët e brendshme të vendeve të Lindjes së Mesme dhe theksoi se SHBA-të do të ndjekin interesa strategjike, pa u përfshirë në çështje të brendshme si zgjedhjet apo të drejtat e njeriut.

Kjo qasje reflekton një zhvendosje të administratës Trump nga politika e mëparshme e mbështetjes për demokracinë dhe të drejtat e njeriut, një qasje që kritikët thonë se po favorizon regjime autoritare, për sa kohë ato janë në linjë me interesat amerikane.

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)

Xh.D/A.A/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Ethem Lalaj: 18/07/2025 16:08

    Nuk është e para herë që AMERIKA fashikullon Sali Berishën: 1.Shpallja Non Grata ishte e fundit në radhë për ta DEMASKUAR si i KORRUPTUAR,MINUES I DEMOKRACISË,SHPËRFILLS I DREJTËSISË..etj. 2.Jo më kotë SHBA kërkuan reformimin e DREJTËSISË për ti dhën fund PANDËSHKUESHMËRISË në Shqipëri për 32 vite,që nga 1992. 3.Amerika ka TRAINUAR magjistratët e SPAK+GJKKO,Por Ato kan STONUAR para Sali Berishës. 4.Nga frika e Sb SPAK po mban në sirtar dosjen e GËRDECIT,21 JANARIT,PO SHTYN ATË TË KL.PARTIZANI,etj.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Akademi për trajnimin e administratës lokale, si e vlerësoni?