Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, u shpreh se nga shtatori i këtij viti, Universiteti Bujqësor i Tiranës do të ofrojë programe akademike të njësuara plotësisht me modelin e Universitetit BOKU të Vjenës, duke sjellë një rritje cilësore në arsimin bujqësor dhe zhvillimin rural.
Teksa mori pjesë në aktivitetin e UBT, Denaj theksoi se ky ishte një qëllim i qartë i qeverisë, i cili nisi para katër vitesh, duke synuar që UBT të bëhet një institucion akademik i nivelit evropian. Studentët, tha ajo, që do të nisin studimet këtë vit do të jenë të parët që do të marrin diplomë të njësuar plotësisht me atë të universitetit austriak, duke u përgatitur për sfidat e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe vizionin 2030.
"Studentët që nisin programin akademik do të jenë të parët që do dalin me një diplomë të njësuar plotësisht dhe me procesin akademik dhe procesin e kërkimit shkencor. Një frymë e re drejt Bashkimit Evropian drejt Shqipërisë 2030. Vizioni është i qartë: UBT të kthehet në majën e universiteteve në rajon, në një kampus ku lektorë dhe studentë nga rajoni dhe pse jo, nga gjithë bota të vijnë për të studiuar, për të dhënë mësim dhe për të realizuar kërkime të përbashkëta.", tha ajo.
Ministrja përmendi edhe projektin për krijimin e Qendrës së Gjeoinformacionit për Ballkanin Perëndimor, si pjesë të bashkëpunimit rajonal dhe shkencor që synon avancimin e bujqësisë dhe arsimit.
"Në këtë kampus është parashikuar edhe ndërtimi i qendrës së ekselencës për nanoteknologjinë, një qendër multidimensionale që do të mbledhë rreth vetes kërkues shkencorë dhe studentë nga Shqipëria, rajoni dhe më gjerë. Në këtë frymë bashkëpunimi rajonal dhe shkencor ka edhe një tjetër nismë, ajo e krijimit të një projekti për qendrën e gjeo-informacionit për Ballkanin Perëndimor, pra UBT po kthehet në një qëndër të kërkimit shkencor në rajon e më gjerë.", shtoi ajo.
Denaj vlerësoi se ky universitet është i rëndësishëm për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
"Ne kemi filluar së bashku një marrëdhënie bashkëpunimi reale, konkrete për të nxitur punësimin në të gjithë këto degëzime që përmendëm pak më parë, në Ministrinë e Bujqësisë dhe në institucionet e varësisë. Kemi një ofertë konkrete për secilin nga studentët që do të dalin nga ky universitet, për të gjitha degët, në mënyrë që procesi i integrimit të bëhet falë jush, me ju dhe të kemi një mundësi për të zhvilluar Shqipërinë në atë majë në Bashkimin Evropian në 2030.", shtoi ajo.
Lajmi kryesor:
'Reformë reale në UBT', Rama: E çliruam nga 'pushtuesit', na duhen njerëz të ditur! Universitetet e tjera të bëjnë të njëjtën gjë
Xh.D/ReportTv.al