Miratohet udhërrëfyesi i integrimit/ Shqipëria miraton pozicionin negociues për çeljen e negociatave! Dhuka: Ecim për t’u bërë anëtar në BE, pavarësisht situatave të ditës

2 Tetor, 14:17| Përditesimi: 2 Tetor, 21:14

  • Share

Tiranë- Më 15 tetor Shqipëria pret nisjen e bisedimeve për anëtarësimin në BE me kapitujt e parë, të njohura si “Themeloret” për anëtarësimin në BE. Ndërkohë Kuvendi dhe Këshilli i Ministrave miratuan dokumentet kyçe si ‘Pozicioni Negociues’ dhe udhërrëfyesin për Funksionimin e Institucioneve Demokratike.

Në mbledhjen sotme (2 tetor) qeveria miratoi 2 dokumente kyçe . Kryenegociatorja Dhuka dhe ministri i Drejtësisë Manja theksuan momentin kyç të procesit integrues të vendit.

Në një deklaratë për medie pas mbledhjes së Qeverisë, ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja për Integrimin në Bashkimin Evropian, Majlinda Dhuka, por edhe ministri Ulsi Manja, u shprehën se Shqipëria hyn në një fazë të re në procesin e negociatave për anëtarësim në BE.

“Me këtë vendim dhe me zhvillimet pozitive nga Bashkimi Europian, vendet anëtare, Komisioni Europian, Shqipëria hyn në një fazë të re në procesin e negociatave për anëtarësim në BE. Sigurisht ky është një proces kompleks, dinamik, me zhvillime shumë pozitive si në drejtim të progresit të Shqipërisë, reformave dhe masave, por edhe në drejtim të BE-së”, tha Dhuka.

Dhuka informoi se, “në javët që vijnë ne mirëpresim vendimet e vendeve anëtare të BE-së, si dhe Konferencën e Dytë Ndërqeveritare për çeljen e negociatave për anëtarësim në BE”.

Sipas saj, “Shqipëria progreson, thellon reformat dhe avancon për të përmbushur kriteret për anëtarësim”. Dhuka shprehu bindjen se Shqipëria është në miljet e fundit të rrugës për t’i përmbushur kriteret për anëtarësim në BE.

E pyetur mbi ndikimin që ka situata e krijuar nga opozita në Kuvend në procesin e integrimit, Dhuka tha se “opozita dhe mazhoranca në Shqipëri janë bashkë për sa i përket anëtarësimit në BE dhe i kanë marrë bashkë këto vendime të rëndësishme”.

Ajo shprehu bindjen se “Shqipëria do të progresojë për t’u bërë anëtarë në BE, pavarësisht situatave të ditës”.

“Shqipëria ka bërë progres të dukshëm në reformat e rëndësishme për anëtarësim, përfshirë këtu Reformën në Drejtësi dhe reforma të tjera të lidhura me funksionimin e  institucioneve”, tha Dhuka.

Udhërrëfyesi për Funksionimin e Institucioneve Demokratike, një dokument politik thelbësor për procesin e integrimit europian dhe një nga parakushtet kryesore për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian, u miratua edhe në Konferencën e Kryetarëve në Kuvend, pa prezencën e opozitës, e cila po bojkotin parlamentin për shkak dënimit të ish deputetit Ervin Salianji.

Ftesa për qeverinë shqiptare për të paraqitur dokumentin për “Pozicionin Negociues për Grupimin e 1 të kapitujve të quajtur “Themelorët” për negociatat për anëtarësimin në BE” ka ardhur nga Presidenca Hungareze e Këshillit të BE- së nëpërmjet një letre të datës 25 shtator.

Ora 15:05
Udhërrëfyesi/ Manja: Konsolidojnë pozicionin e Shqipërisë në rrugën drejt integrimit, na janë lënë 148 detyra shtëpie nga BE!

Ministrat Ulsi Manja dhe Ervin Hoxha, sot pas mbledhjes së Qeverisë

Qeveria miratoi sot (2 tetor) dy dokumente të rëndësishme politike, që konsolidojnë pozicionin e Shqipërisë në rrugën drejt integrimit europian dhe që kanë të bëjnë me Udhërrëfyesin.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, tha për mediet pas mbledhjes së qeverisë se, “dokumenti i parë që miratuam sot, orienton pozicionin negociues të Shqipërisë, ku presim shumë shpejt të ulemi në tryezën e dytë ndërqeveritare dhe dokumenti i dytë i rëndësishëm politik, forcon pozitën e Shqipërisë në negociata”.

Manja theksoi se, “në Udhërrëfyesin për funksionimin e institucioneve demokratike, Ministria e Drejtësisë ka qenë lider në hartimin e tij, duke drejtuar grupin me përfaqësues nga 42 institucione të përfshira, ku rolin kryesor e ka pasur Kuvendi i Shqipërisë”.

Thelbi i këtij dokumenti, vijoi ai, ka të bëjë me “fuqizimin e funksionimit të institucioneve demokratike në themel të së cilës, do të jetë transparenca, llogaridhënia, integrimi dhe eficienca e institucioneve”.

Manja tha se, pozicioni i Shqipërisë do të udhëhiqet nga dy këto dokumente: “Udhërrëfyesi i shtetit të së drejtës dhe Udhërrëfyesi i institucioneve demokratike”.

Ministri i Drejtësisë shtoi se janë lënë edhe 148 detyra nga BE që duhen plotësuar dhe që Shqipëria i ka marrë përsipër:

“Udhërrëfyesi i institucioneve demokratike ka 148 masa. Këto janë detyra shtëpie që ne për një periudhë 2023 -3030 i kemi marrë përsipër për ti kryer në raport me pozicionin tonë për integrimin”.

Sipas tij, këto janë masa të karakterit ligjor, administrativ por dhe masa performance. Manja informoi se udhërrëfyesi i është nënshtruar një konsultimi të gjerë me institucionet dhe aktorët e linjës.

“Janë 12 takime të përbashkëta që janë mbajtur me përfaqësuesit europianë dhe masat e marra janë brenda pritshmërive që BE pret nga Shqipëria në procesin e negociatave. Shqipëria sot është një pozicion solid që nuk ka qënë më parë në raport me BE dhe rrugën drejt integrimit”, deklaroi ministri.

A.Q//ReportTv.al
Komento

Komente

  • albfire: 02/10/2024 16:45

    A thua ky vendimi i qeverise sot ishte pengesa per hapjen e ketyre kapitujve "themelore"?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?