Kampi i emigrantëve në Gjadër

Bota

Udhëtimi drejt Gjadrit së shpejti, Italia bën gati listën e emigrantëve të dëbuar! Mes tyre shumë shqiptarë, në pritje të ‘pranimit’ nga Shqipëria

8 Prill, 16:12| Përditesimi: 8 Prill, 16:25

  • Share

ITALI - Udhëtimi i parë drejt Qendrës për Riatdhesim në Shqipëri është i afërt. Ministria e Brendshme italiane po përgatit listën e emigrantëve të parregullt që do të transferohen në qendrën e Gjadrit, e cila përkohësisht është shndërruar tërësisht në një qendër riatdhesimi, në pritje të vendimit të Gjykatës së Drejtësisë së BE-së mbi dekretin për "Vendet e sigurta". Këtë herë, ata që do të mbërrijnë atje, do të qëndrojnë. Bëhet fjalë për persona në pritje të dëbimit, tashmë të ndaluar në qendra të tjera riatdhesimi në Itali, të cilat, pas direktivës së fundit të Ministrisë së Brendshme të disa javëve më parë, po arrijnë kapacitetin maksimal.

Lista e emigrantëve të parregullt që do të dërgohen në Gjader

Në orët e fundit, Departamenti për Liritë Civile dhe Imigracionin në Ministrinë e Brendshme, i drejtuar nga prefektja Rosanna Rabuano, ka punuar për hartimin e listës së emigrantëve që konsiderohen më të përshtatshëm për t’u transferuar në anën tjetër të Adriatikut: persona që tashmë u është refuzuar leja e qëndrimit dhe kanë një urdhër dëbimi, me përparësi për ata me precedentë penalë dhe më të rrezikshmit, me mundësi reale për t’u riatdhesuar. Vëmendje e veçantë i kushtohet katër kombësive më të përfaqësuara mes afro 1500 emigrantëve të parregullt të riatdhesuar gjatë tre muajve të parë të vitit 2025: tunizianë, shqiptarë, egjiptianë dhe marokenë.

Në Gjader, për sa paradoksale mund të duket, mund të përfundojnë edhe emigrantë shqiptarë të parregullt, në pritje që qeveria e Tiranës t’i pranojë zyrtarisht. Për ta, riatdhesimi do të ishte më i lehtë dhe sigurisht më pak i kushtueshëm: do të ishin të vetmit që mund të liroheshin direkt në territorin shqiptar. Për të gjithë të tjerët, sipas rregullave të përcaktuara në protokollin në fuqi me kryeministrin Edi Rama, do të jetë e nevojshme rikthimi në Itali përpara se të marrin fluturimin për në vendin e origjinës.

Mision në Egjipt për marrëveshje të reja riatdhesimi

Për Italinë është thelbësore forcimi i marrëveshjeve ekzistuese për të shmangur efektin bumerang të versionit të ri të operacionit "Shqipëria", në rast se emigrantët e transferuar atje do të qëndronin me muaj të tërë (deri në 18 muaj, që është afati maksimal i lejuar), pa u riatdhesuar më pas. Për këtë arsye, ministri i Brendshëm Matteo Piantedosi është gati të udhëtojë drejt Egjiptit, një nga vendet ku mund të riatdhesohen dhjetëra emigrantë që tashmë kanë marrë vendim dëbimi. Ndryshe nga procedurat e përshpejtuara të kufirit që zbatohen për azilkërkuesit nga vendet e konsideruara të sigurta, në rastin e Egjiptit është e mundur të riatdhesohen emigrantë që tashmë janë të paligjshëm në territorin italian.

Në fundjavë, Piantedosi do të presë në Napoli ministrat e Brendshëm të vendeve të Med 5 (Itali, Qipro, Greqi, Maltë, Spanjë). Në takim do të marrin pjesë edhe komisioneri evropian për Punët e Brendshme dhe Migracionin, Magnus Brunner, si dhe drejtori ekzekutiv i Frontex-it, Hans Leijtens.

Rritje e madhe e zbarkimeve: 2300 gjatë fundjavës

Ndërkohë, periudha me mot të mirë në Mesdhe gjatë fundjavës së kaluar ka shkaktuar një rritje të ndjeshme të zbarkimeve, duke e çuar numrin e mbërritjeve në Itali për vitin 2025 në rreth 11 mijë. Vetëm në Lampedusa, më shumë se 1600 persona kanë mbërritur mes të shtunës dhe të dielës në rreth 30 zbarkime të varkave, kryesisht të nisura nga Libia, ndërsa 700 të tjerë janë shpëtuar nga anije të organizatave joqeveritare./ La Repubblica

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Po: 08/04/2025 17:02

    Perfundimisht jemi nje shtet bananesh.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet t’u jepet mundësia prokurorëve të SPAK të rikandidojnë?