Udhëtimi i grave që i shpallën ‘luftë’ armikut të fshehur! Report Tv sjell historitë e të mbijetuarave nga kanceri i gjirit dhe këshillat e tyre

29 Tetor 2023, 10:07| Përditesimi: 29 Tetor 2023, 11:21

  • Share

Report Tv sjell historinë e 6 grave nga qytete të ndryshme të Shqipërisë. Ato luftojnë kundër të njëjtit armik. Të gjitha kanë të përbashkët, dashurinë për jetën!

Në Kukës Silvana Krasniqi prej 5 vitesh lufton me kancerin e gjirit, metastazat e të cilit kanë prekur dhe organet jetësore. E fortë, e qeshur dhe plot pozitivitet, 74-vjeçarja tregon momentet e vështira kur u diagnostikua me sëmundjen e rëndë.

“Momenti është i vështirë kur të thonë se je me kancer, por psikologjikisht e përballova mirë. Do ishte mirë për mua po ta kapja në kohë, por fatkeqësisht e kapa kur kisha metastafa në melçi që është më e vështirë”.

Tetori, muaji rozë i ndërgjegjësimit në luftën ndaj kancerit të gjirit përmes ekzaminimeve ka sjellë një rritje të kontrolleve pranë Spitalit Rajonal të Kukësit. Të gjitha gratë mbi 50 vjeç dhe ato me historik sëmundje në familje kanë bërë mamografinë falas në këtë spital. Çdo ditë regjistrohen 25 vizita, tregojnë mjekët.

Në Fier dy vite më parë, Florika Boduri shkoi të kryente një vizitë rutinë në spitalin e Fierit, por ajo që konstatoi do i ndryshonte jetën. Mjekët onkologë i thanë se dyshohet se ajo kishte kancer në gji.

Kalvari i përpjekjeve për të mposhtur sëmundjen ishte i gjatë, por thotë se ajo që e ngriti sërish në këmbë, ishte optimizmi.

Kam qenë gjithmonë optimiste ndaj e kam fituar këtë beteje. Kisha shumë besim, shumë shpresa”, tha ajo.

Megjithëse rrezikun e ka kaluar, ish-mësuesja, tashmë e dalë në pension shkon vazhdimisht për kontrolle.

“E mbarova tani, jam shumë mirë në saj të kontrolleve, në sajë të mjekimeve.  Tani bëj kontrolle herë pas here çdo gjashtë muaj. Jam mirë dhe e gëzuar qe e fitova këtë beteje”, u shpreh Florika Boduri.

Mjekja onkologe në Spitalin rajonal të Fierit thotë se gjatë punës së përditshme ka vërejtur rritje të lehtë të rasteve me kancer gjiri, sidomos të vajzat e reja.

Numri i rasteve të reja ka pësuar një rritje të lehtë nga viti në vit dhe ajo që vihet re është rritja e rasteve tek femrat e reja të moshës nën 40 vjeç. Gjithashtu fakt është se nuk përjashton as meshkujt, pra në raste shumë të rralla vihet re edhe te meshkujt. Në qytetin tonë janë diagnostikuar 2 meshkuj me kancer gjiri”, u shpreh dr. Mone.

Hanife Vija nga Lezha 7 vite më parë u diagnostikua me kancer gjiri. Në atë kohë ishte 51-vjeçe dhe punonte në portin e Shëngjinit. E fortë, e qeshur dhe plot pozitivitet, 58-vjeçarja e cila jeton e vetme, rrëfen momentet e vështira kur u diagnostikua me sëmundjen e rëndë, për të cilen u informua vetem pas operacionit që bëri në Tiranë.

“Pashë në trupin tim një kokërr (gjendër) por e neglizhova. E pashë në gusht dhe në dhjetor u bë e madhe, u detyrova të shkoj në spital”, tha Hanife Vija.

Beteja me sëmundjen ishtë mjaft e vështire tregon Hanife Vija për shkak dhe të pamundësive financiare, por falë ndihmës së bluzave të bardha dhe miqve ka arritur t’ja dalë.

Shkova në Tiranë u operova, vazhdova me mjekime. Më ranë flokët, jam ndier shumë keq. Por tashmë kjo ka kaluar dhe jam më mirë, shkoj vetëm për kontrolle në Onkologjik”, tha ajo.

Sëmundja e rëndë e detyroi ta ndëpresë punën dhe aktualisht trajtohet me pension invaliditeti, ndërsa mjekimin e ka të vazhdueshëm.

Numri i të prekurve nga kanceri i gjirit në Lezhë ka ardhur në rritje gjatë viteve të fundit, ndërsa mbështetja financiare për të përballuar kostot e kurimit shihet si domosdoshmeri për këtë kategori.

Ndërsa në Berat Mirela Shehu dy vite më parë u diagonistua me kancer gjiri. Ka kryer ndërhyrje kirurgjikale, rreze dhe kimioterapi. I kujton jo pa emocion, momentet kur mësoi për sëmundjen. 

“Nuk dua të qaj, por po të them se sfidat të bëjnë më të fortë. U mërzita jo për jetën time edhe pse isha 47 vjece, por për jetën e vajzën sime”, shprehet Mirela.

“Kur mendova vajzën i dhashë kurajo vetes se do ia dal fëmija duhet të ritet me nënë”, tha Mirela.

Shëndeti i 49-vjeçares nga Berati sot është përmirësuar, ndërsa ka një mesazh të fortë për gratë e vajzat.

“Fillimisht ndjeva si një masë të vogël më pas kuptova që sa vinte dhe rritej. E kuptova diçka po në  ndodhte por ishte frika ajo që nuk më linte të shkoja tek mjeku. Them e kapa me vonesë sepse isha në stadin e dytë dhe ky ishte gabimi im po ta kisha bërë vizitë më hershme do e kisha kapur në stadin e parë dhe do e kisha më të lehtë. Nuk kisha bërë kurrë një mamografi ndaj kapa me vonesë. U bëj thirrje grave vajzave mos mos e lini veten shkoni kontrollouni, sepse shpëtoni jetën tuaj", tha 49-vjeçarja.

Edhe pse nuk ka evidenca të sakta, specialistët e imazherisë kanë konstatuar se në qarkun e Beratit më të prekura nga kanceri i gjirit janë gratë nga zona e Kuçovës për shkak të ndotjes nga puset e naftës.

“Zona e Kuçovës është problematike, sepse ne kemi konstatuar shumë probleme tek gratë si me kancer gjiri ashtu dhe me kiste dhe fibra adenoma”, tha teknikja e imazherisë në Spitalin Fier.

Teksa u bëhet thirrje grave për të parandaluar kancerin e gjriit përmes mamografisë, në qytete të mëdha si Korça nuk ka patur aparaturë për diagnostikimin e semundjes. U desh dërgimi i mamografiaë së lëvizshme, pasi mamografia e spitalit ka pësuar defekt.

Feride Duri nga fshati Moravë kishte ndjerë disa shqetësime dhe pas analizave, mjekët i rekomanduan ekazaminimin me mamografi. Në spitalin e Korçës, aparatura për diagnostikimin e kancerit të gjirit është jashtë funksionit prej disa ditësh, ndaj Ferideja priti, derisa të mbërrinte mamografia e lëvizshme nga Tirana.

“Hera e parë që e bëj. Unë rastësisht e pashë makinën e mamografisë. Kam pas shtrëngim në gjoks, dhe erdha ta bëj meqenëse është pa lek. Më kanë thënë që është pa zarar”, u shpreh ajo për mikrofonin e Report TV.

Edhe Majlinda Kote e konsideron veten me fat që mund të kryente një kontroll falas.

Rastësisht erdha në qendrën sanitare dhe pashë që mamografia kishte ardhur dhe përfitova nga rasti për ta bërë. Kam bërë dhe here të tjera. Edhe pse kam dalë negative e mira ta kontrolloj çdo vit. Çdo zonje i them ta bëjnë sa më shpejt. Njerëzit tani janë të informuar, por përtojnë, por në fakt duhet bërë një orë e më parë”, tha ajo.

Faktin se me qindra gra në Korçë kanë mbetur pas shërbim, e pranon Nada Terpo, Shefe e Kujdesit Parësor Shëndetësor. Aparatura në spitalin Rajonal të Korçës ka pësuar defekt dhe ende nuk është rregulluar.

Jemi në muajin tetor, muajin e sensibilizimit të kancerit të gjirit, mamografia e lëvizshme ka ardhur në qytetin e Korçës për herë të parë, sepse është prishur mamografia statike në spital. Ka pësuar defekt dhe nuk u arrit të rregullohej në kohë”, u shpreh Terpo për Report TV.

Ekzaminimet janë të detyrueshme për gratë mbi 50 vjeç dhe ato me historik të kësaj sëmundje të familje.

Kanceri i gjirit është më i shpeshtë tek gratë, por mund të gjendet tek burrat në raste shumë të rralla. Problemi është se burrat kurrë nuk kryejnë kontrolle madje hezitojnë edhe kur shfaqin hematoma në kraharor. Një rast i tillë është zbuluar në qytetin e Krujës.

“Ka dhe shumë burra që e kanë këtë sëmundje por nuk shkojnë të vizitohen sepse kanë turp. Një pacient ka qenë I diagnostikuar me tumor në gjoks dhe ka pasur hematomë të madhe. Ishte mbi 50-vjec. Çdolloj sëmundje duhet ti përballojmë me forcë jo me frikë”, tha Vosjava Teta infermiere në spitalin e Krujës.

Ky rast është zbuluar disa kohë më parë, pasi sot në qytetin e Krujës nuk ofrohet shërbimi i ekografisë dhe mamografisë, për shkak se godina e spitalit është në rikonsktruksion.

Bluzat e bardha presin nga Ministria e Shëndetësisë të dërgojë mamografinë e lëvizshme, teksa apelojnë burrat e gratë të mos neglizhojnë simptomat. Një thirrje vjen dhe nga Flutura Noga, nënë e dy fëmijëve që prej 4 vitesh lufton me kancerin e gjirit.

“Në moshën 57-vjeçare u kontrollova dhe u diagnostikova dhe dola me kancer gjiri. E kisha prek me dorë, por nuk doja ta besoja. Shkova tek Onkologjiku ma përcaktuan sëmundjen, u operova bëra 8 kimio dhe 15 seanca rreze. Mjekët janë kujdes për mua. Helidon Nina një ndër më të mirët. Zoti I bekoftë mjekët. Mesazhi im për gratë është shkoni kontrollohuni mos neglizhoni”, tha Flutura Noga, paciente.

Në Krujë numërohen 96 gra dhe 1 burrë që janë diagonstikuar ndër vite me kancerin e gjirit dhe ndjekin terapinë në spitalin Onkologjik të Tiranës.

Në Tiranë Fatbardha Pasholli është përballur 7 vite me kancerin e gjirit dhe më pas trajtimi me kimioterapi kanë qenë vite sfiduese për 71 vjeçaren. Ajo tregon që për një grua me kancer ana financiare është e vështirë sepse janë disa analiza që shteti nuk i ofron.

“Jam një paciente prej 7 vitesh me kancer gjiri, që në shtator 2016. Unè isha në dush dhe kur dola nga dushi kisha dhe bijën time Adelën. Ishte zhytur kokrra e gjirit poshtë dhe kjo është një nga shenjat më të forta. Tregoi dhe stadin, stadin e 3 biopsia. Janë disa analiza që nuk bëhen në shtet do t’i bësh në privat . Janë të kushtueshme, por kam patur mbështetjen e fëmijëve."- tha Fatbardha Pesholli.

Për Ola Myftarin, lufta me kancer e gjirit ka qenë një betejë jo e lehtë, por triumfuese sepse ka dy vite që e ka mposhtur këtë sëmundje.

“Unë kancerin e kam kaluar vetëm me të fejuarin tim jashtë vendit. Ai ka qenë luftëtari mè I forte në fakt.”- u shpreh Olta Myftari.

Në moshën 62 vjeçare Elida Karafili, gjatë një vizite rutinë shtyrë nga vajza e saj, kuptoi se ishte prekur nga kanceri i gjirit.

Ishte diçka e pabesueshme për të, momenti i parë që mjekët i komunikuan se shëndeti i saj nuk është i mirë, por me optimizëm dhe duke mundur frikën, vetëm pas 10 ditësh ajo hyri në operacion.

Para 5 vjetëve, me shtytjen e vajzës kam bërë mamografinë. Nuk u interpretua mirë dhe më thanë që duhet të ndiqesha për tumor në gjirin e majtë. Gjërat u bënë shpejt dhe pas 10 ditësh unë isha në sallën e operacionit. Me këmbënguljen time unë vendosa të heq gjirin komplet për të mos i lënë vend  përsëritjes së sëmundjes në po atë gjoks. Sa herë kam bërë analizat më kanë bërë mirë. Ajo që më dallon nga të tjerët është se unë nuk thash u bë hataja. E kapa në kohë, zoti e ka në dorë, unë do bëj punën time. Puna ime ishte të mos bija në pesimizëm, të ecja shumë, kam përcjellë mesazhet që nëse ekzaminohesh herët dhe të ndjekim këshillat e mjekëve, kalon. Kur u ekzaminova, nuk i tregova familjes. Bëra operacionin. Kam qenë aktive, nuk kam menduar për më të keqen, për vdekjen. Familja e përjetoi keq, bëhej fjala për mamanë. Unë do ju thoja grave, sidomos atyre që kanë një mentalitet se kam frikë mos më del ndonjë gjë, Më mirë ta bësh mamografinë dhe ta bësh atë gjë e ta kapësh në kohë. Këtë kordelen nuk e heq asnjëherë gjatë tetorit për të ju kujtuar grave që të bëjnë mamografinë”. – tha Elida.

Sot pas 5 vitesh kujdesi maksimal për veten, Elida është në gjendje shumë të mirë shëndetësore e madje përpiqet sa të mundet që të përcjellë mesazhe tek gratë dhe vajzat që të bëjnë depistime të herëpashershme.

Unë jam këtu pas një lufte të madhe e mbështetur nga familja ime. Ne të nderuara jemi zinxhiri i jetës, dhe që të mos këputet ky zinxhir i jetës. Që të mos këputet ky zinxhir ata që kanë më shumë në dorë që të bëjnë për ne, le ta bëjnë. Një grua e fortë është një komb i fortë”.- u shpreh ajo.

Si Elida, të gjitha gratë që e kanë përshkuar rrugëtimin e vështirë u kërkojnë grave dhe vajzave të duan veten!

B.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?