Pavarësisht ndalimit nga të gjitha garat ndërkombëtare pas pushtimit të Ukrainës, klubet e futbollit në Rusi kanë përfituar më shumë se 10.8 milionë euro fonde “solidariteti” nga UEFA, sipas një raportimi të publikuar nga The Guardian.
Këto pagesa janë bërë ndërkohë që pesë klube ukrainase nuk kanë marrë fonde të ngjashme, me arsyetimin se ndodhen në “zona të operacioneve ushtarake”.
Fondet e solidaritetit ndahen zakonisht për klubet që nuk arrijnë të kualifikohen për kompeticionet evropiane, me synim ruajtjen e një balance konkurrues mes ligave. Por për sezonet 2022-2023, 2023-2024 dhe 2024-2025, UEFA i ka transferuar përkatësisht 3.3 milionë, 3.38 milionë dhe 4.22 milionë euro federatës ruse të futbollit, edhe pse klubet dhe kombëtarja e Rusisë mbeten të pezulluara.
Në të njëjtën kohë, drejtuesit e klubeve ukrainase Chornomorets, Real Pharma (nga Odesa), IFC Metalurg (Zaporizhia), FSC Phoenix Mariupol (qytet i pushtuar) dhe FC Metalist 1925 (Kharkiv), i kanë dërguar një letër presidentit të UEFA-s, Aleksander Ceferin, duke denoncuar situatën si “të jashtëzakonshme”.
Ata pretendojnë se pagesat janë bllokuar nga një bankë në Zvicër për shkak të “vendndodhjes së klubeve në zonë lufte”, një justifikim që ata e cilësojnë të paqartë dhe të padrejtë. Në letër thuhet: “Zona e operacioneve ushtarake nuk është një rajon i caktuar i vendit tonë, por e gjithë Ukraina”.
Duke kujtuar se shumë tifozë ukrainas kanë shkuar në front që në ditët e para të agresionit, drejtuesit theksojnë se çdo ndihmë financiare është jetike për mbijetesën e klubeve në këto kushte të jashtëzakonshme.
UEFA nuk ka dhënë ende një përgjigje zyrtare mbi këtë çështje, ndërkohë që kritikat ndaj mënyrës se si po trajton raportet me Rusinë po shtohen. Rusia vazhdon të ketë përfaqësim në strukturat drejtuese të UEFA-s, ndërsa përpjekjet për të rikthyer ekipet e moshave të saj në garat ndërkombëtare janë përballur me kundërshtim të gjerë.
Në një tjetër shqetësim të ngritur nga pala ukrainase, UEFA po i jep Rusisë pikë në renditjen e përgjithshme edhe gjatë sezoneve kur klubet ruse janë të pezulluara, gjë që, sipas tyre, minon efektin e sanksioneve dhe i jep përparësi të padrejtë federatës ruse.
Komente
