ITALI - Skuadra e Interit të Femrave ka marrë një fitore të thellë në ndeshjen e parë të Kupës së Europës për Femra, duke mposhtur Vllazninë me rezultatin 7-0 në Milano.
Vajzat shkodrane, të cilat përfaqësojnë futbollin shqiptar në arenën europiane, nuk arritën të përballonin forcën dhe ritmin e lartë të kundërshtareve. Një autogol i Bajraktarit zhbllokoi ndeshjen që në minutat e para, duke i hapur rrugë dominimit të vajzave zikaltër, të cilat më pas realizuan edhe gjashtë gola të tjerë.
Vjazat zikaltër siguruan kualifikimin që në pjesën e parë, duke shënuar katër gola. Autogoli i Bajraktarit, dopieta e Wullaert dhe goli i Detruyer vulosën shifrat 4-0 në fraksionin e parë. Në pjesën e dytë, Interi shënoi edhe tre gola të tjerë me Bugeja dhe dopietën e Polli. Sfida e kthimit do të luhet më 15 tetor në stadiumin “Loro Boriçi”, duke nisur nga ora 18:00.
Me këtë rezultat, Interi ka hedhur një hap të sigurt drejt kualifikimit në turin tjetër të kompeticionit, ndërsa Vllaznia do të kërkojë të japë maksimumin në ndeshjen e kthimit për të ruajtur dinjitetin e saj në arenën europiane.
Komente
