Ish-mesfushori me tipare sulmuese i kombëtares holandeze, Wesley Sneijder mund të jetë përfshirë në pastrim parash të një organizate kriminale, kjo pas një hetimi në Turqi. Këtë e bën të ditur RTL.
Sipas burimit, Sneijder është aksioner i një kompanie ndërtimi, përmes së cilës mund të pastrohen miliona euro. Hetimi zbuloi se kompania ka lidhje me një grup kriminal australian të përfshirë në prodhimin dhe shitjen e substancave të paligjshme.
Sneijder i tha 'RTL Nieuës' dhe 'RTL Boulevard' se ai nuk është i dyshuar. "Unë nuk kam asnjë lidhje me praktikat kriminale. Unë jam në fakt një viktimë në këtë histori", tha ai.
Më herët, ish-futbollisti tha se nuk ishte në dijeni të ndonjë lidhjeje mes kompanisë ku ai është aksioner dhe rrjetit kriminal. Sneijder raportoi se ai nuk ishte në gjendje të kthente paratë e investuara në këto kompani.
Ish-lojtari i Real Madridit, Interit dhe Holandës, e mbylli karrierën te Galatasaray në Turqi.