Ekonomi

Ujësjellësit/ Në 2024 të ardhurat 113 milionë euro, vetëm 5 shoqëri mbulojnë kostot

19 Gusht, 19:36| Përditesimi: 19 Gusht, 19:56

  • Share

Shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve në vend realizuan 11.3 miliardë lekë të ardhura apo 113 milionë euro nga aktiviteti i tyre. Enti Rregullator i Ujit publikoi raportin e performancës për vitin 2024 duke nënvizuar se pavarësisht një ecurie më të mirë të ardhurave, që janë në rritje në raport me vitin 2025 ende shumica e shoqërive e kanë të vështirë të mbulojnë kostot.

Gjatë vitit 2024, të ardhurat e realizuara nga aktiviteti i shoqërive UK arritën në 11,378 milion lekë, duke shënuar një rritje prej 983 milion lekësh krahasuar me vitin 2023.

Në nivel sektori, vetëm 5 nga 17 shoqëri UK që operojnë në të gjithë territorin kanë arritur të mbulojnë mbi 100% kostot O&M.

Në tërësi, niveli i mbulimit të Kostove O&M është rritur, duke arritur në 107.6%, me të ardhurat nga aktiviteti (pa përfshirë subvencionet), çka tregon një përmirësim të qëndrueshëm financiar në raport me vitin e kaluar” thuhet në raport.

ERRU nënvizon se të ardhurat nga aktiviteti kanë pësuar një rritje të lehtë me 9.5%, si rezultat i rritjes me rreth 29,340 lidhje të reja të Furnizimit me Ujë (FU) të cilat vijnë kryesisht nga vendet bregdetare SHRUK Vlorë, e cila e ka dhe vitin e parë të rajonalizimit, vijon SHUK Tiranë me rritje të lidhjeve të reja për furnizim uji, SHRUK Durrës dhe SHRUK Sarandë.

Ndërkohë ka rritje me 24,041 të numrit të lidhjeve kanalizimeve që vijnë kryesisht nga SHUK Tiranë, SHRUK Durrës, SHRUK Elbasan, SHRUK Korçë dhe SHRUK Vlorë.

Megjithatë, në sektor sipas raportit, mbeten ende 12 shoqëri UK që nuk mbulojnë kostot O&M dhe që janë subvencionuar nga qeveria qendrore.

Subvencionet në vitin e shkuar ishin 349 milionë lekë apo rreth 3.5 milionë euro.

Sektori i ujësjellës-kanalizimeve tashmë prej disa vitesh është nën reformën e riorganizimit ku hapi i parë ishte ai i bashkimit të disa dhjetëra shoqërive në 15 të tilla. Deri më tani ka përfunduar organizmi i 14 prej tyre teksa mbetet ende pa krijuar shoqëria më e madhe, që është ajo e Tiranës që përfshin bashkë me kryeqytetin edhe Kamzën dhe Vorën.

Gjatë dy viteve të fundit shoqëritë e reja kanë aplikuar për tarifa të rishikuara me tendencë rritjen në një pjesë të mirë të tyre të cilat janë miratuar nga Enti Rregullator i Ujit./Monitor

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Agjencitë e Entet Rregullatore do kalojnë në varësi të Ministrive, si iu duket?