Uji i ftohtë në Tepelenë është një nga zonat me atraktive me peizazhin piktoresk dhe burimin që të fal qetësi dhe freski në këto ditë të nxehta korriku. Kush udhëton drejt jugut të Shqipërisë nuk mund të mos ndalojë tek ky burim.
Në këtë zonë ka subjekte shërbimi ndërsa të shumtë janë shitësit ambulantë që tregtojnë bimë medicinale si mjaltë apo peshk të freskët. Sipas tyre ky sezon turistik duket premtues, por një problem i mbartur nder vite për ta është parkimi i automjeteve.
"Në korrik gusht që ka fluks mungon parkimi, por është shumë problem. të gjithë kërkojnë të ndalojnë këtu por nuk gjejnë vend. Njerëzit duan të ndalojnë për kafe dhe për të blerë produkte bio", tha në tregtarët.
Lidhur me këtë shqetësim, përgjegjësi i turizmit pranë Bashkisë së Tepelenës Aleksandër Toti pohon se ky është një problem i vjetër që po mundohen t'i japin një zgjidhje dhe se projektet nuk mungojnë.
"Ka disa investime që po zhvillohen së fundmi edhe në zonën e Ujit të Ftohtë. Ne po planifikojmë rehabilitimin dhe jemi në fazën e hartimit të projektit që do e paraqesim në qeveri", tha Aleksandër Toti.
Uji i Ftohtë është një mrekulli e natyrës dhe vlerë e shtuar për zhvillimin e turizmit në Tepelenë.