Ujqërit dhe çakenjtë kanë dëmtuar tufat e blegtorëve në fshatrat Qarr, Pishe dhe Bashkim të njësisë vendore Levan në Fier.
Sipas banoreve të zonës kafshët e egra dalin nga Pylli i Pishë-Poros dhe bëjnë kërdinë në shpendë e bagëti.
'Ujqërit na kanë bërë zarare, jemi të rrezikuar edhe vetë. I mbajmë bagëtitë të kullosin në tokat anash kanalit se andej nga pylli s’dalim dot. Janë shtuar shumë, edhe natën detyrohemi të bëjmë roje se na futen nëpër stane. Më para s’ka pasur, këto vitet e fundit janë shtuar shumë. E kemi shumë problem, s’dimë si do bëjmë', u shpreh një banor.
'Çakenjtë vijnë afër shtëpisë e hanë pulat e detit, ndërsa ujqërit lëshohen në kopetë e bagëtive. Jam dëmtuar, më kanë ngrënë 3 pula deti. Tani në këtë periudhë dalin më shumë, deri afër shtëpive afrohen', tha një tjetër.
Sipas tyre, deri tani numërohen 70 krerë të dëmtuara.