Ministri i Kulturës në Ukrainë, Oleksandr Tkachenko është ankuar në Netflix për serialin “Emily in Paris” për portretizimin si hajdute të një personazhi nga Kievi.
Në serinë e fundit, Petra, një e re ukrainase, vjedh në një dyqan gjatë një udhëtimi në Paris me personazhin kryesor të serialit, Emily, e kjo për Tkachenko është fyese.
“Në serialin “Emily in Paris”, personazhi i një gruaje ukrainase është i papranueshëm dhe fyes. Kështu shihen ukrainasit jashtë vendit?”, tha ai.
I të njëjtit mendim ka qenë edhe një banor ukrainas.
“Mënyra se si është trajtuar imazhi i ukrainasve në sezonin e dytë, episodi i katërt, është një skandal, turp”, shkroi ukrainasi Yevheniya Havrylko në Instagram, aty ku ka marrë më shumë se 75 mijë pëlqime.
Nuk është hera e parë që seriali “Emily in Paris” është vendosur në qendër të kritikave për portretizimin e kombësive të ndryshme. Në sezonin e parë, pati kritika, veçanërisht në Francë pasi francezët portretizohen si njerëz të vrazhdë dhe që tradhtojnë partnerët e tyre.