Ukraina ka sulmuar të dielën disa bombardues me rreze të gjatë veprimi dhe me kapacitet bërthamor rusë në një bazë ushtarake në Siberi, në një operacion të parë të këtij lloji kaq larg vijës së frontit mbi 4.300 kilometra larg sipas mediave pro-rusë.
Pamje dhe video të paverifikuara të publikuara në rrjetet sociale tregojnë bombardues strategjikë rusë të destinuar për të lëshuar bomba bërthamore mbi objektiva të largëta duke marrë flakë në bazën ajrore të Belaya, në veri të qytetit Irkutsk.
Një përfaqësues i shërbimit informativ ukrainas në Kiev, në një përgjigje për agjencinë Reuters, deklaroi se shërbimi i sigurisë së brendshme të Ukrainës, SBU, kishte ndërmarrë një sulm të gjerë me dronë kundër mbi 40 avionëve ushtarakë rusë. Burimi ukrainas, që foli në mënyrë anonime, shpjegoi se mes avionëve të goditur përfshiheshin bombarduesit strategjikë Tu-95 dhe Tu-22, të cilët Rusia i përdor për të lëshuar raketa me rreze të gjatë drejt Ukrainës.
Igor Kobzev, guvernatori i rajonit Irkutsk, konfirmoi një sulm me dron ndaj një njësie ushtarake pranë fshatit Sredny, në rrethin Usolsky, por nuk përmendi asgjë për avionët strategjikë.
Në një video të publikuar prej tij në Telegram, dëgjohen dronë që fluturojnë mbi zonë dhe shihet një shtëllungë e madhe tymi që ngrihet në qiell. Ai theksoi se ky ishte sulmi i parë i këtij lloji në atë pjesë të Siberisë duke shtuar se nuk dihet me saktësi numri i dronëve të përdorur në sulm. Sipas tij, dronët mund të jenë lëshuar nga një kamion.
Baza ajrore e Belaya, e njohur edhe si Sredny, ndodhet pranë fshatit Sredny dhe, sipas burimeve të hapura për forcat e armatosura ruse, strehon bombarduesit strategjikë supersonikë me rreze të gjatë Tupolev Tu-22M.
Sipas autoriteteve lokale, një tjetër sulm me dronë ukrainas ka ndodhur gjithashtu në rajonin e Murmanskut, në veri të Rusisë. Edhe atje ndodhet baza ajrore e Olenya, e cila, sipas burimeve të hapura, përdoret gjithashtu për aviacionin strategjik rus./ La Repubblica
Komente

Kur e kruan me fikun e detit te futen gjembat dhe nuk te dalin me , keshtu qe ukraina po e kruan pak si shume dhe do gjej belane
Përgjigju