Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky

Ukraina konfirmon mbërritjen e avionëve luftarakë F-16, Zelensky: Kapitull i ri në luftën kundër Rusisë

4 Gusht, 16:27| Përditesimi: 4 Gusht, 16:33

  • Share

Kiev- Ardhja e avionëve luftarakë F-16 në Ukrainë shënon "një kapitull të ri" për Forcat Ajrore. Kështu u shpreh sot (4 Gusht) Presidenti Volodymyr Zelensky, teksa konfirmoi për herë të parë se avionët luftarakë janë në vend.

Ukraina u kishte kërkuar aleatëve që të transferojnë avionët e lakmuar që nga fillimi i luftës, për të mbrojtur qiellin e saj kundër raketave ruse. Rusia ruan epërsinë ajrore mbi Ukrainën dhe F-16 ofrojnë një përmirësim të konsiderueshëm në armatimin e Kievit. F-16 mund të sigurojnë mbulim ajror për trupat, të sulmojnë objektivat tokësore, të sulmojnë aeroplanët e armikut dhe të përgjojnë raketa, raporton CNN.

“Kemi mbajtur qindra takime dhe negociata për të forcuar aftësitë e aviacionit dhe mbrojtjes sonë ajrore. Ne shpesh dëgjuam përgjigjen se ishte e pamundur. Tani është një realitet. F-16 janë në Ukrainë. Unë jam krenar për të gjithë njerëzit tanë që po i zotërojnë këto avionë dhe tashmë kanë filluar t'i përdorin ato për vendin tonë", u shpreh Zelensky.

Ai tha se u është mirënjohës partnerëve dhe veçanërisht vendeve të para që pranuan kërkesën e Kievit për avionët luftarakë. “Falënderoj Danimarkën, Holandën dhe Shtetet e Bashkuara. Dhe për të gjithë partnerët tanë - ne e vlerësojmë mbështetjen tuaj”, shtoi presidenti ukrainas.

Më tej theksoi se “tani është një kapitull i ri në Forcën Ajrore të Ukrainës. Ne kemi bërë shumë për të siguruar që Forcat Ajrore të Ukrainës të kalojnë në një standard të ri të aviacionit - avion luftarak perëndimor”.

Por Zelensky vuri në dukje se deri më tani, numri që është i disponueshëm i avionëve në Ukrainë dhe numri i pilotëve që tashmë janë trajnuar, nuk është i mjaftueshëm.

“Megjithatë këta avionë janë në qiellin tonë. Është mirë që ata mbërritën dhe ne mund t'i përdorim ato. Të paktën sot mund t'ju them hapur se mund t'i përdorim ato”, tha ai.

Por më shumë avionë F-16 pritet të mbërrijnë në Ukrainë dhe “shumë nga njerëzit tanë aktualisht janë duke studiuar dhe trajnuar”. “Unë besoj shumë se partnerët do të gjejnë një mundësi për të zgjeruar platformën e trajnimit për pilotët dhe inxhinierët tanë. Kjo është shumë e rëndësishme për ne”, shtoi ai.

SHBA-ja u zotua të miratojë transferimin e avionëve luftarakë F-16 në Ukrainë në gusht të vitit të kaluar, pas muajsh lobimi nga Kievi.

A.Q/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?