Rusia akuzon Ukrainën se ka nisur një sulm me dron gjatë natës duke synuar Moskën për natën e dytë radhazi, raporton BBC. Sipas autoriteteve ruse, të paktën 19 dronë janë shkatërruar përpara se të arrinin në qytet. Katër aeroportet kryesore të kryeqytetit u mbyllën për disa orë për të garantuar sigurinë por u rihapën më pas.
Sulme me dronë janë raportuar gjithashtu në qytete të tjera ruse si Penza, Voronezh dhe Kursk. Në këtë të fundit, një nënsistem elektrik në qytetin Rylsk është dëmtuar, duke lënë pa energji një pjesë të zonës, ndërsa dy adoleshentë kanë mbetur të plagosur.
Në të njëjtën kohë, autoritetet ukrainase kanë raportuar sulme të ngjashme nga Rusia në Kharkiv, në zonën e Kievit dhe në Odesa, ku një person humbi jetën.
Ndërkohë, në kufirin me rajonin e Kurskut, përplasjet tokësore duket se janë intensifikuar. Blogerë ushtarakë rusë raportojnë se forcat ukrainase kanë tentuar të kalojnë kufirin me automjete të blinduara mjete për çminim, duke kaluar pengesat dhe fushat me mina.
Ukraina konfirmon se forcat e saj mbajnë ende prani ushtarake në territorin rus të Kurskut, në vazhdim të operacionit të filluar në gusht 2024.
Autoritetet në rajonin ukrainas të Sumyt, që ndodhet afër kufirit me Tyotkino – zona ku Ukraina pretendon të ketë goditur një njësi komanduese dronësh – kanë bërë thirrje për evakuim në disa vendbanime, për shkak të përkeqësimit të situatës.
Komente
