Ushtarë koreanoveriorë

Ukraina: Ushtarët koreanoveriorë janë dislokuar në Kursk të Rusisë

25 Tetor, 07:14| Përditesimi: 25 Tetor, 07:18

  • Share

Shërbimi i inteligjencës ushtarake të Ukrainës ka thënë të enjten se njësitet e para koreanoveriore, të stërvitura në Rusi, janë dërguar tashmë në rajonin e Kurskit, i cili ndodhet në kufi me Ukrainën.

Forcat ukrainase e nisën një inkursion të madh në këtë rajon rus në gusht.

Kremlini i hodhi poshtë në të kaluarën si “lajme të rrejshme” raportimet për trupat e Koresë së Veriut, por presidenti rus, Vladimir Putin, tha të enjten se është çështje e Moskës se si dëshiron ta zbatojë marrëveshjen e partneritetit ushtarak me Phenianin.

Putini nuk e mohoi se ushtarë të Koresë së Veriut ndodhen në Rusi.

"Njësitet e para ushtarake nga DPRK (Republika Popullore Demokratike e Koresë) - të cilat u stërvitën në poligonet stërvitore të Rusisë lindore - tashmë kanë mbërritur në zonën e luftimeve të luftës ruso-ukrainase. Në veçanti, më 23 tetor 2024, prania e tyre u regjistrua në rajonin e Kurskut", tha agjencia e inteligjencës ukrainase në një komunikatë.

Ajo tha se gjithsej rreth 12.000 trupa koreanoveriore, përfshirë 500 oficerë dhe tre gjeneralë, tashmë ndodhen në Rusi dhe stërvitjet po zhvillohen në pesë baza ushtarake.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha më 23 tetor se Koreja e Veriut mund të përballet me pasoja për ofrimit të ndihmës së drejtpërdrejt Rusisë.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, tha se Shtëpia e Bardhë beson se të paktën 3.00 ushtarë koreanoveriorë udhëtuan me anije për në Vladivostok të Rusisë në fillim të tetorit.

Zëdhënësi i NATO-s, Farah Dakhlallah, tha se aleatët janë duke e diskutuar këtë çështje, duke shtuar se, nëse është e vërtetë, “do të shënojë përshkallëzim të madh në mbështetjen e Koresë së Veriut për Rusinë në luftën e saj të jashtëligjshme, si dhe do të ishte shenjë tjetër për humbjet e mëdha të Rusisë në vijën e parë”./REL

Xh.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?