Shkatërrime nga sulmet në Ukrainë, foto arkivë

Bota

Lufta në Ukrainë/ The Guardian: Trump tërhiqet nga ndërmjetësimi Moskë-Kiev! Hungaria: Ukraina, jo në BE! Zelensky: Rusia po grumbullon trupa në jug

21 Gusht, 14:22| Përditesimi: 21 Gusht, 15:24

  • Share

Forcat ruse sulmuan Ukrainën natën e së mërkurës 40 raketa të llojeve të ndryshme, përfshirë katër hipersonike Kinzhal, dhe 574 dronë. Bilancin e njoftoi Forca Ajrore e Kievit, e cila theksoi se mbrojtja ajrore e vendit rrëzoi 546 mjete ajrore pa pilot dhe 31 raketa, përfshirë një hipersonike. Sulmi vjen në kulmin e përpjekjeve diplomatike të SHBA dhe BE për paqen, me perëndimin që po përpiqet të ndërtojë një paketë garancie për sigurinë e Ukrainës. 

Ukraina pret që perëndimi të ushtrojë presion mbi rusinë për të shkuar drejt takimit dypalësh dhe marrëveshjes së paqes. Zelensky tha në rrjetet e tij sociale se në rast se Putin dhe të tijët nuk do të shfaqin interes për marrëveshjen e paqe do të presë një reagim nga SHBA. Por në kundërshtim me këto pritshmëri, britanikja The Guardian, raportoi këtë të enjte se Trump sipas burimeve të saj, organizimin e takimit dypalësh do t'ia lërë në dorë totalisht ukrainasve dhe rusëve.  

Zelensky thotë se do të takohet me Vladimir Putin vetëm pasi të ketë marrë garancitë e sigurisë nga Evropa dhe SHBA. Presidenti ukrainas paralajmëroi gjithashtu se Moska po përgatitej për luftime të mëtejshme pasi po grumbullon trupa në vijën e frontit jugor në vend.

"Ne duam të kemi një marrëveshje mbi arkitekturën e garancive të sigurisë brenda shtatë deri në dhjetë ditësh. Dhe në bazë të kësaj marrëveshjeje, ne synojmë një takim trepalësh", u shpreh Zelensky, duke shtuar se vendi ku do të mbahen bisedimet të jenë një vend “neutral” evropian, dhe sugjeroi Zvicrën, Austrinë e Turqinë.

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov hodhi akuza se Ukraina kërkon që të minojë përpjekjet e Trump për të zgjidhur konfliktin. Shënjestroi gjithashtu edhe Koalicionin e të Vullnetshmëve. Sipas tij, grupi i aleatëve të Ukrainës "po përpiqet të largojë vëmendjen nga adresimi i shkaqeve rrënjësore" të luftës.

"Shpresoj që ky aventurizëm evropian të dështojë", tha ai, duke i quajtur përpjekjet për të diskutuar garancitë e sigurisë pas luftës për Ukrainën "të kota". Për Lavrov propozimet evropiane për të vendosur trupa në Ukrainë do të përbënin një  “ndërhyrje të huaj”, duke i quajtur absolutisht të papranueshme për Rusinë.

Sipas tij, Rusia mbështet opsionin e garancive të sigurisë për Ukrainën të diskutuara në negociatat e vitit 2022 në Stamboll, kur u diskutua roli i anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, përfshirë Kinën dhe Rusinë.

Ndërkohë, zëvendës presidentii  SHBA-së, JD Vance u shpreh se Rusia ka kërkuar "disa territore, shumicën e të cilave i ka pushtuar tashmë, por disa prej të cilave nuk i ka pushtuar ende".

"Ukraina dëshiron të sigurohet që nuk do të pushtohet përsëri nga Rusia. Ajo dëshiron të sigurohet që ruan integritetin e saj territorial në planin afatgjatë", shtoi Vance.

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm hungarez, Péter Szijjártó, ka mohuar me vendosmëri se Donald Trump i ka telefonuar kryeministrit Viktor Orbán për t’i kërkuar që të mos pengojë anëtarësimin e Ukrainës në BE. "Një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe pozicioni ynë nuk ka ndryshuar: ne jemi kundër hyrjes së Kievit në BE", theksoi ministri duke folur për gazetarët.

Lajm ne perditesim...

Ora 15:05
Turqia dhe Hungaria shprehen të gatshme të presin takimin mes Putinit dhe Zelenskyt

1755612470_vladimirputinvolodymyrzelensky.jpg

Turqia dhe Hungaria janë shprehur të gatshme për të mbajtur takimin mes Vladimir Putin dhe Volodymyr Zelenskyt. Presidenti turk Rexhep Tayip Erdogan konfirmoi gatishmërinë për të pritur një samit paqeje mes Rusisë e Ukrainës, gjatë një telefonate që zhvilloi me homologun francez, Emmanuel Macron.

Edhe qeveria hungareze ka deklaruar zyrtarisht gatishmërinë e saj për të pritur samitin në Budapest.

"Nëse ata kanë nevojë për ne, ne jemi këtu në dispozicion të tyre", deklaroi ministri i Jashtëm hungarez Peter Szijjarto, duke shtuar se Budapesti do të garantojë "kushte të përshtatshme, të drejta dhe të sigurta për negociata paqeje të këtij lloji". 

Ora 11:43
Zelensky: Takimi me Putinin në Austri, Zvicër ose Turqi! Asnjë sinjal nga Moska për negociata, reagim i SHBA nëse nuk interesohet për paqen

Volodymyr Zelensky

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky thotë se do të pranojë që takimi me Vladimir Putin për një marrëveshje paqeje të zhvillohet në Austri, Zvicër ose në Turqi. Ky i fundit, sipas Zelenskyt, është një vend i NATO-s dhe e mirëpret si vend kandidat për të zhvilluar takimin e nivelit të lartë. 

Në një dalje të fundit publike, ai thotë se takimi me Putin duhet të bëhet vetëm pasi të jenë mësuar dhe dakordësuar garancitë për sigurinë e Ukrainës nga Perëndimi. Këto duhet të sanksionohen në një marrëveshje dhe më pas mund të zhvillohet takimi me presidentin rus. 

Moska ndërkohë ka kërkuar të drejtën e vetos në lidhje me garancitë e sigurisë për Ukrainën. Ministri i Jashtëm rus Lavrov një ditë më herët deklaroi se garancitë për sigurinë e Ukrainës duhet të jenë të pranueshme edhe për Rusinë.

Në një postim në facebook, Zelensky tha se Moska nuk ka dhënë ende asnjë sinjal për nisjen e negociatave për paqen dhe se për këtë duhet presion. Presim reagim të SHBA nëse Rusia nuk shfaq interes, thotë Zelensky. 

Xh.D/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Agjencitë e Entet Rregullatore do kalojnë në varësi të Ministrive, si iu duket?