Ukrainasit pa municion, europianët të lodhur e pa plan: A po shkon Putin drejt pushtimit të Kievit?

26 Mars, 10:23| Përditesimi: 26 Mars, 10:24

  • Share

Vladimir Putinit po i ecin  punët mirë. Brenda 6 muajsh i hoqi qafe dy oponentë të tij: Jevgeni Prigoshinin dhe Aleksej Navalnin. Prigoshini vdiq në një “aksident ajror”, Navalni vdiq në burg në një vendbanim polar. Në Moskë shefi i Kremlinit e priti Tucker Carlsonin, “gazetar” amerikan dhe adhurues i autokracive, dhe i mbajti një ligjëratë të gjatë mbi historinë e Rusisë. Në Spanjë “persona të panjohur” vranë një pilot rus të helikopterit, i cili pati dezertuar në Ukrainë. Donald Trumpi tha se do të inkurajojë Rusinë për të sulmuar ato vende të NATO-s të cilat nuk paguajnë mjaft para në buxhetin e Aleancës Veriatlantike. Ditë më parë forcat ruse pushtuan qytetin ukrainas Avdijivka. Drejtësia (në thonjëza) ruse ia ndaloi kandidimin për president një politikani opozitar. Nga data 15 deri më 17 mars Vlladimir Putini do të organizojë në Rusi një shou elektoral dhe pastaj do të shpallë fitoren për një mandat të ri si president.

Vlladimir Putinit po i ecin mirë punët edhe për arsye të tjera. Ukrainasit kanë mbetur pothuaj pa municion, europianët janë lodhur dhe duket se nuk kanë plan afatgjatë si t’i kundërvihen Rusisë, partia e Ronald Reaganit është peng e një izolacionisti - përballë kësaj zymtësie duket se Vlladimir Putini mund të ketë apetit për të synuar pushtimin e Kievit. Perëndimi gjendet para një viti vendimtar. 

Në prag të fillimit të vitit të tretë të luftës së Rusisë kundër Ukrainës kryediplomati i BE-së Josep Borrell u dërgoi një fletërrufe vendeve të BE-së duke i akuzuar se krerët e tyre politikë janë të shkëlqyeshëm me fjalë dhe joseriozë me vepra. Mesazhi i letrës së Borellit ishte ky: Ukraina është e vendosur në luftën e saj kundër pushtuesve rusë. Për të vazhduar luftën Ukrainës i duhen armë. Muncion. E shumëçka tjetër. 

Europianët dhe amerikanët i kanë mundësitë për t’i ndihmuar Ukrainës. Jo sa për të mbijetuar, por për të krijuar pozicion të favorshëm në front. Tek nga ky pozicion mund të fillojnë ndoshta negociatat për ndalje të luftimeve, armëpushim, eventualisht për ndonjë marrëveshje. Kryeministrja e Danimarkës dhe ajo e Estonisë këto ditë e bënë të qartë se Europa ka mjaft mundësi për t’i dalë në krah Ukrainës. Mes shumë problemeve të tjera me të cilat përballet Europa, është edhe ky: mungesa e liderëve të cilët janë të vetëdijshëm për momentumin historik. Nuk bëhet më fjalë vetëm për fatin e Ukrainës. Bëhet fjalë për fatin e krejt kornizës së sigurisë në Europë nëse edhe më tutje në njëfarë mënyre tolerohet Vlladimir Putini. 

Tolerancë ndaj Putinit është nëse Ukrainës i jepni aq armë sa për të mbijetuar, por jo për të zmbrapsur rusët. Ukrainasit e kanë dëshmuar se kanë vullnet të madh për të luftuar kundër pushtesit rus. Ata kanë arritur disa suksese spektakulare duke goditur e fundosur anije të rëndësishme të flotës ruse në Detin e Zi. Sipas shefit të CIA-s William Burns, deri më tani në Ukrainë janë vrarë apo plagosur 315 mijë ushtarë rusë. Ukraina, përkundër pritjeve krejt të tjera të disave në Perëndim, ia ka dalë të bllokojë njërën prej superfuqive më të mëdha të botës. 

Në pyetjen se çfarë e pret Ukrainën në vitin e tretë të luftës, ka dy përgjigje: po vazhdoi ky ritëm i luftës, Ukraina mund të pësojë kolaps, ndërsa po u aramtos si duhet ushtria ukrainase, gjasat janë reale që diktatori rus të kuptojë se rruga nëpër të cilën është nisur do ta çojë në qorrsokak. Kundërshtimi i ambicieve hegjemoniste ruse kushton miliarda. Janë miliarda që qeveritë perëndimore do të donin t’i investonin në projekte të tjera. Por momentalisht projekti më i rëndësishëm është shporrja e Rusisë nga Ukraina. Sepse Vlladimir Putini zor se do të ndalet nëse sheh një shans për fitore në Ukrainë. Apetiti rritet duke ngrënë. Supës së zier nga Putini duhet hedhur aq kripë, saqë të bëhet e pashijshme për diktatorin rus. Europës dhe Perëndimit në përgjithësi tani i duhet momenti i 13 majit 1940 kur Winston Churchill në fjalimin e tij të parë si kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar tha: “Nuk kam asgjë tjetër t’ju ofroj përveç gjakut, mundimit, lotëve dhe djersës”. Ukraina nuk po kërkon që të tjerët të luftojnë për të. Po kërkon armë…

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?