Ulet prodhimi vendas i energjisë, rritet me 7 herë importi! INSTAT: Më tremujorin e parë familjarët rritën konsumin

24 Maj 2022, 19:32| Përditesimi: 24 Maj 2022, 19:59

  • Share

Si pasojë e thatësirës dhe mungesës së reshjeve të shiut në fillim të vitit, prodhimi i energjisë elektrike është ulur ndjeshëm. Madje për shkak të mungesës së prurjeve Fierza zbriti në pikën kritike të saj. Instituti i Statistikave njofton se në tremujorin e parë të 2022 prodhimi neto i energjisë është ulur me 39,7 % duke arritur vlerën 2.016 gigavat orë nga 3.344 gigavat orë energji të prodhuar në tremujorin e parë të vitit 2021.

Pjesa më e madhe e prodhimit është realizuar nga hidrocentralet publike me 52,8 %, ndjekur nga hidrocentralet private dhe koncesionare me 46,7 % dhe në fund janë parqet Fotovoltaike me 0,5 % prodhim.

Për të mbuluar nevojat për konsum, vendi ka rritur importin gjatë kësaj periudhe me 7.2 herë më shumë se vjet. Konkretisht importi bruto i energjisë elektrike, në tremujorin e parë, arriti vlerën 715 gigavat orë nga 99 gigavat orë që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërsa eksportet gjatë kësaj periudhe janë reduktuar me 67,5 %.

Ndërkohë si pasojë e çmimeve të larta në bursën ndërkombëtare ndikuar edhe nga lufta në Ukrainë, për të blerë energji KESH shpenzoi në tremujorin e parë 128 milionë euro.

Sipas raportit të INSTAT, nga janari në mars është rritur edhe konsumi i energjisë me 5.7%, dhe ndikimin më të madh e kanë dhënë konsumatorët familjarë me rritje 8,1 %, ndërsa bizneset konsumuan 2,9 % më shumë se vjet.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?