Ndonëse ILD kërkoi shkarkimin e gjyqtarit Taulant Taga, KLGJ vendosi ta pezullojë për 3 muaj duke i dhënë të drejtën e rrogës minimale. ILD kërkoi shkarkimin e tij pasi uli dënimin me 2 vite të Arben Grorit.
Nga hetimi ndaj gjyqtarit, ILD konstatoi veprime/mosveprime të kryera në kundërshtim me ligjin “Për trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve” i ndryshuar, të cilat kanë sjellë si pasojë të drejtpërdrejtë përfitimin e padrejtë të uljes së dënimit në masën 720 ditë për të Arben Grorin, i dënuar me burgim të përjetshëm.
Sipas hetimit të ILD-së, në dhënien e vendimit gjyqtari nuk i është referuar dosjes, por ka parashtruar në mënyrë të dukshme fakte dhe rrethana të shtrembëruara vetëm për t’iu përshtatur plotësimit të kërkesave formale ligjore. Ndërsa në analizën e vendimmarrjes 4 vjeçare (2017-2021) të gjyqtarit Taga, ILD ka konstatuar se ndryshe ka vepruar gjyqtari në dhënien e 155 vendimeve të tjera, ku në 7 kërkesa nga të dënuar me “Burgim të përjetshëm” janë respektuar kriteret formale ligjore. Këto ishn arsyet përse kërkuan shkelje dënimi, por KLGJ caktoi masën e pezullimit nga detyra.
Njoftimi i plotë i ILD
Këshilli i Lartë Gjyqësor gjatë seancës së sotme dëgjimore ka pranuar pjesërisht kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për procedim disiplinor ndaj gjyqtarit T.T., të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan për shkelje disiplinore të kryera, në gjykimin e kërkesës me objekt ulje dënimi, për një të dënuar me burgim të përjetshëm. Këshilli i Lartë Gjyqësor caktoi masën pezullim nga detyra për 3 muaj me të drejtën e përfitimit të pagës minimale për magjistratin. Inspektori i Lartë i Drejtësisë kishte kërkuar procedim me masën “shkarkim nga detyra” ndaj gjyqtarit T.T.
Nga analiza ligjore e fakteve të mbledhura gjatë hetimit disiplinor ndaj gjyqtarit T.T., Inspektori i Lartë i Drejtësisë kishte konkluduar në raportin hetimor, se nga ana e magjistratit janë konstatuar veprime/mosveprime të kryera në kundërshtim me ligjin “Për trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve” i ndryshuar, të cilat kanë sjellë si pasojë të drejtpërdrejtë përfitimin e padrejtë të uljes së dënimit në masën 720 ditë për të dënuarin me burgim të përjetshëm (A.G.), si dhe cënimin e prestigjit të magjistratit në veçanti dhe cënimin e besimit të publikut te drejtësia. Sipas hetimit të ILD-së, në dhënien e vendimit magjistrati nuk i është referuar fakteve në aktet e dosjes, por ka parashtruar në mënyrë të dukshme fakte dhe rrethana të shtrembëruara vetëm për t’iu përshtatur plotësimit të kërkesave formale ligjore. Në analizën e vendimmarrjes 4 vjecare të magjistratit (2017-2021), me objekt ulje dënimi, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka konstatuar se ndryshe ka vepruar gjyqtari në dhënien e 155 vendimeve të tjera, ku në 7 kërkesa nga të dënuar me “Burgim të përjetshëm” janë respektuar kriteret formale ligjore.
Në përfundim të hetimeve Inspektori i Lartë i Drejtësisë kishte konkluduar se veprimet/mosveprimet e magjistratit T.T., përbëjnë shkelje shumë të rëndë disiplinore, që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të detyrës dhe i kërkoi KLGJ-së caktimin e masës disiplinore “Shkarkim nga detyra”, për magjistratin për shkeljet disiplinore të parashikuara nga neni 102, pika 1, shkronjat “dh” dhe neni 102 pika 2 germat “b” , “c” të Ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Në përditësim...