Dita e sotme shënon fillimin e vitit të ri akademik në universitetet publike dhe private në vendin tonë, teksa u raportua se numri i studentëve është në rënie.
Kjo ishte tema që u diskutua në emisionin ‘Sot Live në Shqipëri’ në Report Tv, ku të ftuar ishin përfaqësuesi i shoqërisë civile Migen Qiraxhi dhe pedagogia Teuta Toska.
Qiraxhi tha se ulja e numrit të studentëve në universitetet publike është paralajmëruar më parë. Ai tha se ulja e numrit të studentëve, vjen për shkak të disa faktorëve.
“Për ne që merremi me studimin e shifrave, nuk habitemi me këto shifra. 5 vite më parë, ne kemi paralajmëruar për uljen e numrit të studentëve. Ajo që ne kemi vënë re që menjëherë pas pandemisë, universitetet e vendeve tona, u futën në krizë infrastrukturore. Në fakt ato që u treguan më të shkathëta ishin universitet private. Që prej pandemisë, universitetet private kanë fituar më shumë terren. Por duhet të diskutohet nëse kemi rritje në universitetet private për shkak të rritjes së cilësisë së tyre, apo të uljes së cilësisë në ato publike. Nuk kemi të bëjmë me një eficencë të privates”, deklaroi Qiraxhi.
Më tej Qiraxhi deklaroi se duhet të diskutohet jo vetëm ulja e numrit të studentëve, por edhe cilësia e mësimdhënies në universitete. Sipas tij, ulja e cilësisë së arsimit, pasi është një nga tre shkaktarët e largimit të shqiptarëve.
“Ajo që ne duhet të bëjmë është që të mos flasim vetëm për shifrat, por këta studentë që kemi, a i japim ne mësim cilësor? Këtu nuk po fokusohemi shpesh, pasi drama e largimit ka të bëjë edhe me cilësinë e arsimit. 5 vite më parë në ngritëm alarmin se ulja e cilësisë së arsimit, do i shkaktonte emigrim të vendit, pasi është një nga tre shkaktarët e largimit të shqiptarëve”, tha ai.
Ndërsa pedagogia Teuta Toska tha se ekspertët e studimeve politike dhe demografike, duhet ta kishin parashikuar se çfarë po ndodh me Shqipërinë. Ndërsa po ashtu theksoi se me më pak studentë, rritet cilësia e mësimdhënies.
“Kur unë kam filluar, ne kemi pasur mbi 100 studentë në ditë me kohë të plotë dhe mbi 100 me kohë të pjesshme. Nuk i kisha menduar kurrë që të mbërrinim në këto shifra. Këta që merren me studime politike dhe demografike duhet ta kishin parashikuar se çfarë po ndodh me Shqipërinë.
Kjo sjell stres tek personelet e universiteteve, por nga ana tjetër na ka krijuar edhe komoditet. Sepse kur ti futesh në një klasë me 15-20 studentë, ti bën një mësimdhënie më cilësore se me 150 studentë.
Ndërsa për rritjen e kërkesës për disa degë në universitetet private, Toksa tha se kjo bëhet se privatët kanë mundësi më të mëdha investimi.
“Me të vërtetë është rritur privati, por është rritur në ato degë ku kërkohet investim edhe më i madh. Sepse unë besoj se sot universiteti shtetëror nuk mund të ofrojë dot këtë lloj komoditeti, për shumë lloj arsye”, tha Toska.
Komente
