Sociale

Ulja e pagës deri në 10 mijë lekë të reja në muaj, mësuesit në Korçë paralajmërojnë grevë! Në të gjithë vendin preken 6500 arsimtarë

28 Shkurt, 09:39| Përditesimi: 28 Shkurt, 10:42

  • Share

Korçë- 350 mësues ciklit të ulët dhe parashkollorit janë prekur nga ulja e pagës së grupit. Kryetari i Sindikatës së Arsimit në Korçë, Leonard Trebicka, ka deklaruar se ulja e pagës është në vlerën e 10 mijë lekëve (të reja) në muaj. 

Edhe pas dy takimeve mes sindikatës, federatës dhe ministrisë së arsimit, nuk është marrë asnjë masë konkrete për të ndryshuar këtë situatë.

Për të shprehur pakënaqësinë dhe kërkuar zgjidhje, Trebicka ka shpallur 31 marsin si afatin e fundit dhe pas kësaj date të gjithë mësuesve do tu bëhet thirrje për grevë.

Ai tha se rreth 6500 mësues në të gjithë Shqipërinë po përballen me të njëjtën problematikë. Kryesisht është kategoria e mësuesve që japin mësim në fillore (klasa I-V).

"Ka që në muajin qershor të vitit të kaluar që është ulur paga e grupit. Me zero pikë janë vlerësuar të gjithë mësuesit të cilëve u është ulur paga. Ministria thotë se edhe vitin e kaluar ka qenë i njëjti udhëzim.  Janë 6500 mësues që e kanë këtë ulje në gjithë Shqipërinë. Është një shifër shumë e madhe në krahasim me rritjen e pagës e cila nuk është bërë atje ku duhet.

Duhet të respektohet kontrata kolektive që thotë se duhet të ndiqen hapat e bisedimeve mes palëve dhe më pas të shkojmë drejt një greve e cila shumë shpejt do të jetë e pranishme në Shqipëri. Pas mbylljes së tremujorit të dytë më 31 mars, Sindikata do të marrë hapa ligjorë dhe do të nisë një grevë për të gjithë mësuesit në Shqipëri”, tha Trebicka duke theksuar se për të kjo është një çështje neglizhence nga ana e ministrisë.

Më tej ai theksoi se kërkesa e fundit që kanë diskutuar është çështja e kualifikimit dhe heqjen e provimeve.

“Ne pretendojmë të hiqen të gjitha provimet. Mjaft kanë dhënë provime në bankat e shkollës. Ne pretendojmë që mësuesit të mos bëjnë kualifikime gjatë karrierës së tyre", përfundoi ai.

Xh.K/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Mandarina me pesticide, sa të sigurta janë produktet që konsumojmë?