Azerbajxhani do të rrisë këtë vit eksportet e gazit në Evropë për 30 për qind, në kohën kur Bashkimi Evropian synon të ulë varësinë në energjinë ruse. Ministri i Energjisë në Azerbajxhan, Parviz Shahbazov, tha se në tetë muajt e këtij viti, Bakuja e ka furnizuar Evropën me 7.3 miliardë metra kub gaz natyror.
“Furnizimet e përgjithshme me gaz në Evropë për vitin 2022 do të arrijnë në 12 miliardë metra kub, rritje për 31 për qind në krahasim me vitin 2021”, shkroi ai në Twitter.
Shahbazov tregoi se prodhimi i gazit natyror është rritur për 10 për qind në periudhën janar - gusht 2022, duke arritur në 30.6 miliardë metra kub.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen propozoi ditë më parë vendosjen e çmimeve tavan ndaj gazit natyror që importohet nga Rusia, në kohën kur Vladimir Putin, është zotuar se do t'i ndalë eksportet e naftës dhe gazit për të gjitha shtetet që vendosin çmim tavan.
Në muajin korrik, BE-ja dhe Bakuja kanë nënshkruar memorandum mirëkuptimi për të dyfishuar sasinë e gazit të importuar nga Azerbajxhani në të paktën 20 miliardë metra kub deri më 2027.
Pas vendosjes së sanksioneve të Perëndimit ndaj Rusisë për luftën në Ukrainë, Moska ka nisur t'i zvogëlojë furnizimet me gaz në Evropë, ndaj Bashkimi Evropian po kërkon rrugë alternative.