E ardhmja foli sot në parlamentin shqiptar përmes një ministreje virtuale të pajisur me inteligjencë artificiale. Ishte një moment historik, një hap që e lidh Shqipërinë me teknologjitë e kohës dhe me transformimet që po ndodhin në gjithë botën. Por ndërkohë që e ardhmja u shfaq në sallë, opozita bërtiste kundër, bllokonte foltoren dhe shpallte “mëkat” futjen e AI-së në jetën e institucioneve. Një skenë tipike shqiptare: inovacioni hyn nga dera, zhurma e prapambetjes shpërthen nga korridori.
Nuk është faji i Edi Ramës që përqafon i pari teknologjinë dhe e sjell AI-në në qeverisje. Faji është i opozitës që ka mbetur gjithmonë offline, e fundit në çdo gjë. E fundit në vizion, e fundit në ide, e fundit edhe në mandate – të rrudhur në 50 ulëse. Kur qeveria ecën me kohën, opozita ngelet pas, e lidhur pas parullave të vjetra dhe një politike që nuk komunikon dot me realitetin e sotëm.
Ironia është e dukshme: deputetët që shfrytëzojnë çdo ditë Facebook-un, Instagram-in dhe TikTok-un për të bërë politikë të ditës, sot u skandalizuan nga një ministre virtuale. Ata që bëjnë “live” me telefon, sot protestuan kundër një teknologjie që në fakt do t’u shkurtojë burokracinë dhe do t’u japë qytetarëve më shumë transparencë. Është e njëjta mendësi që dikur tallej me llambën elektrike, që dikur e quante televizorin “armë të huaj”, dhe që sot trembet nga AI – sepse nuk di të përshtatet.
Në histori, çdo shpikje e madhe ka pasur naivët e vet teknologjikë. Vaksinat u quajtën blasfemi para se të shpëtonin miliona jetë. Elektrifikimi u përjetua me frikë para se të ndriçonte çdo fshat. Sot është radha e AI-së: e ardhmja është këtu, por opozita vazhdon të mbetet peng i së shkuarës.
Prandaj, debati i sotëm nuk ishte mes Ramës dhe opozitës. Ishte mes së ardhmes dhe prapambetjes. Dhe kur historia të shkruhet, nuk do të mbahet mend zëri i atyre që bërtisnin “offline”, por fakti që Shqipëria guxoi të thotë “po” ndaj inteligjencës artificiale në qeverisje.
E ardhmja foli sot. Opozita bërtiti. Dhe humbi përsëri!
Komente
