Sociale

UNDP: 2/3 e të moshuarve kanë nevojë për ndihmë në përditshmëri, 60% e pensionit shkon për barna

31 Gusht, 13:59| Përditesimi: 31 Gusht, 14:07

  • Share

Dy të tretat e të moshuarve mbi 65 vjeç në Shqipëri kanë nevojë për ndihmë në aktivitetet e përditshme. Një raport i Kombeve të bashkuara tregon se shërbimet të kujdesit janë të pakta dhe të pa-specializuara, duke bërë që barra t’i bie familjeve

***

Në një Shqipëri që po plaket me ritme të shpejta, gjithnjë e më shumë të moshuarit nuk arrijnë dot të marrin ndihmën dhe përkujdesjen e nevojshme. Në një raport të publikuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, UNDP, zbuloi një realitet të ashpër: dy të tretat e të moshuarve kanë nevojë për ndihmë në aktivitetet e përditshme.

Një anketë e realizuar me 790 familje shqiptare që kanë të moshuar mbi 65 vjeç tregon se ky brezi përballet me sfida të vështira siç mund të jenë dëmtime fizike, probleme shëndetësore kronike dhe mungesë të përkujdesjes personale dhe emocionale.

Sipas raportit e UNDP, 50% e personave që kanë nevojë për përkujdesje, marrin më shumë se pesë lloje ilaçesh. 60% e pensionit shkon pikërisht për të përballuar kostot mjekësore.

Këtë e pohojnë vetë të moshuarit për kamerën e Report Tv.

“Ne marrim ilaçe. 200 mijë lekë (të vjetra) pension, shumë pak. Unë me gruan marrim 100 mijë lekë ilaçe. Pastaj janë pjesë e tjera. Jo ushqime, jo drita, jo ujë”, thotë një i moshuar.

“Po çfarë janë të përballueshme, 100 mijë lekë e kam pensionin”, shprehet një tjetër.

“Nuk dalin vetëm për ilaçe, jo për gjëra të tjera. Hamë me para të çunit që punon”.

“Është fatkeqësi domethënë që të marrësh pensionin dhe t'i numërosh me qindarka edhe të rrish gjithë ditën këtu.”

Tradita që e sheh kujdesin si “detyrë familjare” e rëndon barrën mbi gratë, të cilat përbëjnë 67% të kujdestarëve, shpesh pa trajnim apo mbështetje.

Por 61% raportojnë mungesën e të afërmve. Vetëm 5% e të moshuarve kanë mundësi të kenë kujdestarë të paguar. 

“Vetëm me gruan jetoj. Fëmijët kanë punët e veta”.

“Po janë të shpërndarë, po kanë hallet e veta. Edhe emigrimi është bërë i vështirë”.

“Po fëmijët janë në shtëpi më vete, por që na ndihmojnë kur vjen puna”.

Shqipëria sot ka vetëm 23 institucione rezidenciale që u shërbejnë rreth 705 të moshuarve, më pak se 1% e popullsisë mbi 65 vjeç.

36 qendra ditore mbulojnë rreth 3,000 përfitues, ndërsa gjysma e bashkive nuk ofrojnë asnjë shërbim komunitar për të moshuarit.

Edhe institucionet përballen me mungesë të theksuar shërbimesh dhe stafi të trajnuar.

Vetëm 33% e qendrave ofrojnë kujdes për demencën dhe 25% fizioterapi, ndonëse mbi 90% i konsiderojnë të domosdoshme.

Raporti i UNDP

V.GJ /Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Zgjidhja: 31/08/2025 16:34

    Ka vetem 1 zgjidhje! Pension minimal 400€ duke nis nga 2026

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Sa të sigurt ndiheni nga mashtrimet online?