'Unë fëmija i 8-të me dy prindërit bujq, që preka të gjitha skenat!’ Tenori Ramë Lahaj si 'Domingo i ri' në podkastin e kryeministrit: Tani mungon veç krijimi i familjes!

2 Dhjetor 2023, 13:06| Përditesimi: 2 Dhjetor 2023, 13:41

  • Share

I njohur jo vetëm në të gjithë shqiptarinë, por edhe për tej saj. Tenori nga Peja Ramë Lahaj, ka arritur të prekë skenat më prestigjioze botërore, ndonëse rrugëtimi i tij personal e artistik, të cilin e rrëfen në podkastin “Flasim”  në bisedë me kryeministrin Edi Rama, nuk ka qenë i lehtë, por i shënjuar nga Lufta në Kosovë e situata e brishtë ekonomike.

Jam i 8-i, jam i fundit. Realisht unë të dy prindërit i kam pasur bujq, të dy kanë qenë me vetëm 4 klasë shkollë, por i gjithë rrugëtimi im ka qenë nga mësimi që kam marrë nga ato katër klasë të shtëpisë, të familjes. Unë kam pasur privilegjin si fëmija më i vogël, i teti në radhë realisht t’i mbaroja studimet në Akademinë e Arteve dhe kjo ka qenë një lloj shtyse sepse vija pa background muzikor, gjithsesi talenti ishte sepse unë jam malësor në një farë forme

Solfezhin nis ta mësojë në moshë të rritur, pasi kishte mbaruar shkollën për IT. Pedagogët si Kastriot Tusha e ndihmojnë për të konfirmuar talentin, e më pas për ta zhvilluar në Akademinë e Arteve.

"Realisht po. Gjithmonë vokali më kanë dhënë shumë përparësi, edukata ime para vokalit, qasja me njerëzit dhe pedagogët më kanë dashur. Për ne po e përsëris, nëqoftëse në programin e Akademisë kanë qenë dy leksione në javë, unë kam bërë 3-4 sepse pedagogët kanë dashur të më mbështesin, e kanë kuptuar dhe mungesën"

Tregon se shqiptarët e njohur të muzikës klasike dhe jo vetëm nuk ia kanë kursyer mbështetjen .

Po ça ndodhi konkretisht me këta që thua se të dhanë dorën? Çfarë bëri Ermonela për ty? Çfarë bëri Sajmiri për ty? Çfarë bëri Inva për ty?

Një vit e gjysmë afërsisht derisa prapë nga dora e shqiptarëve të tjerë, miq besoj shumë të përbashkët tanë, si Ermonela Jaho, Fadil Berisha, Sajmir Pirgu po ashtu, në takimet e tyre për punët e tyre ose “shooting” që i kam pasur për projekte të përbashkëta, Ermonela i thotë Fadilit që kam një djalë në Kosovë që ka kualitete shumë të mira, po s’kam asnjë kontakt.

Dhe kështu ka filluar nga Ermonela tek Fadili, nga Fadili tek televizioni sepse kishte mik që unë punoja dhe shefen time të asaj kohe. Pastaj tek Inva Mula, pastaj tek Sajmiri që më jep dorën e artë për të vazhduar karrierën.

Ka arritur majat e suksesit dhe ka punuar me emra të mëdhenj të muzikës si Placido Domingo.

Domingo kishte gjetur temperament në këndim dhe në të gjitha ato që bënim bashkë, të një Placidos të ri dhe kjo ka qenë ajo kimia që na ka mbajtur për disa vite bashkë, domethënë për 4 vite me radhë, pas 2016, ai gjithmonë nëpër aktivitete të tij ka prezantuar Operalen me prezencën time me aktivitete nëpër botë, kudo.

Tregon se në karrierën artistike ndihet i plotësuar.

Jo, realisht kam jetuar diku tek 98% e asaj që kam ëndërruar, jo vetëm në aspektin profesional, përgjithësisht.

"Po pse 98%? Ça është ky 2%? tha Rama.
"Se ka një 2% që e bën më interesant 98% tjetër" tregon Ramë Lahaj

Kryeministri Edi Rama: Që është?
Ramë Lahaj: Krijimi i familjes, një rrugëtim tjetër i ri.

 Në këto rrethana, kontriubon për promovimin e muzikës klasike dhe të artistëve të rinj në shtëpinë e tij përmes  projekteve të ndryshme, koncertit  “Ramë Lahaj & Friends” si dhe një fondacioni që mban ermin e tij.

"Domethënë është një lloj përgjegjësie që ka qenë brenda meje gjithmonë, që suksesi nuk mund të jetë individual nëqoftëse nuk vjen në shtëpi dhe nuk shpërndahet ose nuk ndihmohet me aq sa mundemi dhe aq sa kemi mundësi"

Gjatë bisedës artisti përgëzoi kryeministrin për rijetësimin e skenave të artit, e madje biseduan edhe për arkitekturë e objekteve të kultit.

Ora 13:01
‘Kurrë nuk do ta them...!’ Betimi që i bëri vetes Edi Rama kur ishte adoleshent ‘e pak me thepa e cepa si person’

 

Podcakasti ‘Flasim’ i kryeministrit Edi Rama i ka shërbyer dhe për të kujtuar dhe disa momente nga jeta e tij. Një të tillë e tregoi gjatë podcastit me Ramë Lahin.

“Kur unë kam qenë adoleshent që kam qenë si të gjithë adoleshentët e tjerë, por mbase edhe pak me thepa, e  me cepa si person. Kur prindërit e mi më thoshin: - Kur ishim ne! Ishte një nga gjërat që mua më tmerronte, mirëpo natyrisht e kisha marzhin e kundërshtimit të kufizuar dhe kur në fund detyrohesha që të dëgjoja - Kur ishim ne! i thoja vetes: - Betohu që kurrë, kurrë nuk do thuash: - “kur ishim ne”, kur të bëhesh sa këta dhe nuk e përdor këtë gjë, por si të gjithë gjeneratat e kanë tendencën të mendojnë se: – kur ishin ata i bënin gjërat me më shumë përkushtim, me më shumë vullnet, me më shumë vështirësi, etj, etj.

Por sigurisht që çka mund të thuhet për gjeneratën e sotme dhe pa frikë është që gjenerata e sotme e re jeton në një botë krejt, krejt të re në aspektin e shpejtësisë se komunikimit dhe të presionit marramendës të imazheve, të lajmeve dhe të asaj pasqyrës së telefonit, ku të krijohet ideja që gjithçka që del në atë pasqyrë është diçka që të përket, është diçka të cilës ti i përket dhe gati gati nuk e sheh më dot diferencën midis gjithë asaj shfaqjeje të madhe dhe marramendëse imazhesh të suksesit, të pasurisë, të shkëlqimit, të konsumit saqë bëhet realisht problem që të ulësh kokën dhe të punosh sistematikisht përditë e përditë e përditë e përditë dhe të pranosh të gjitha ato sfida dhe të gjitha ato vështirësi që të vë përpara dëshira për të realizuar një ëndërr të madhe" kujton Rama

Ora 11:25
Ramë Lahaj: Ka shumë talente në Prishtinë e Tiranë por koha që jetojmë i ka bërë përtacë

Kryeministri Edi Rama në episodin e 12 të sezonit të dytë të Podkastit “Flasim” kishte të ftuar tenorin shqiptar me famë botërore Ramë Lahaj, të cilin e cilësoi një tjetër yll të Shqipërisë, Kosovës, shqiptarisë.

Lahaj tregoi rrugëtimin e tij si dhe përpjekjet që po bën për ti ardhur në ndihmë të rinjve në një kohë që youtube i ka bërë dhe përtacë.

 

Ramë Lahaj: Absolutisht meqë përmendët teatrin kryeministër, unë e kam për detyrë të të falënderoj për gjithë atë punë të mrekullueshme që është bërë në Teatrin e Operas, projektin e parë që e kanë. Biles një nga stafi juaj këtu po më thonte që në kohën e pandemisë unë kisha bërë një ripërpunim të këngës “Për ty Atdhe” dhe sigurisht introja, hapja e këtij projekti, e kemi xhiruar tek salla e Teatrit të Operas që s’ishte akoma gati për ta shfrytëzuar, perdet dhe një moment që na duhej në backstage. Kështu që unë jam lumturuar shumë me punën që është bërë, sepse tetari duhet të bëhej. Shqipëria ka shumë yje në botën operistike, sikundër i ka në fusha të tjera, sidomos për artin operistik. Unë  jam lumturuar sepse është shtëpia ime dhe e gjithë artistëve.  Jam shumë dakord dhe e kam parë Ermonelën që vjen kohë pas kohe, po kjo ka qenë në fakt edhe një lloj shpagimi, sepse unë po të mos ishin këto emra që ne i përmendëm, unë nuk do të isha këtu, nuk do të kisha këtë eksperiencë jetësore dhe profesionale.

Me thanë dhe nuk më është dashur më shumë ego sesa një dekadë për të përmbushur atë ëndrrën që unë kam patur për rrugëtimin e karrierës sime dhe të kthehem prapa e të them Ok! Ke kënduar në Londër, ke kënduar në Berlin, ke kënduar në Sidney, ke kënduar gjithë andej, - Çfarë do tani që të rikthehesh edhe njëherë? Po çfarë mund të lesh prapa? A mund të kontribuosh, sidomos në Kosovë që ne akoma nuk e kemi një teatër opere, ne akoma nuk e kemi një sallë koncertesh. Domethënë tek unë ka nisur si një nevojë dhe e kam ndjerë si obligim, si presion që duhet të fillojmë diçka. Për fatin tim të mirë të gjitha institucionet pa përjashtim më kanë dhënë mbështetjen e saj dhe ne patjetër që kemi bashkëpunime me Teatrin e Operas, TOB-in këtu në Shqipëri. Të gjithë artistët e rinj vijnë rregullisht në workshopet që bëjmë në Prishtinë dhe e kemi në një farë forme, përveç kësaj, përveç moralit po them kombëtar e kemi dhe atë përgjegjësinë profesionale për t’i dhënë edhe një boost sepse me ardhjen e internetit, domethenë plot talente të rinj konvertohen në trendin që e ka sjell bota online, që nuk kam absolutisht asgjë kundra dhe unë e shoh shumë herë që ka talente që duke iu referuar andej ku ne këndojmë edhe tregut që ka bota operistike, ne takojmë talente në Prishtinë ose në Tiranë që janë Gold nga kualitetet vokale, por koha që jetojmë i ka bërë “lazy”, nuk duan më sepse të jetojmë edhe nga një kanal Yotube, edhe pa studiuar 5 orë në ditë siç bëjmë ne zakonisht.

Domethënë unë e kam ndjerë të nevojshme, kam ndjerë një lloj përgjegjësie për t’i dhënë edhe një dorë, të paktën me ato dy javët e aktivitetit që i ka festivali në Prishtinë dhe është një fakt për të ardhur keq kur sheh të gjithë ato talente që kanë një lloj, nuk po e kuptoj pse ka një lloj, nuk kanë një lloj, motivi siç e kemi patur, se tani po më duket vetja 70-vjeç. Domethënë gjatë gjithë kohës më kanë bombarduar me komente që nuk bëhesh se je vonë dhe prapë ia kam dalë. Ndërsa tani ka një lloj platforme, kemi edhe mundësinë për t’i mbështetur, sjellim edhe pedagogë aty dhe ti e sheh që talentet e rinj.... është shumë okay. Po ti e sheh që nuk e kanë atë entuziazmin të vijnë e të shohin një superstar siç është Ermonela që vjen në Prishtinë, siç është Francisco Araiza  që vjen në Prishtinë domethënë unë pavarësisht trendit të kohës, ia kam dhënë vetes për detyrë për t’i shtyrë, për t’i dhënë edhe një dorë, sepse e ndjej sikur kam nevojë me e shpaguar atë ndihmën që e kam marrë dikur dhe si pasojë e asaj jam këtu.

S.G//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?