‘Unë i përkas botës’, sot 113 vjetori i lindjes së Shën Nënë Terezës! Kisha i njohu shqiptares Gonxhe Bojaxhiu dy mrekulli

26 Gusht 2023, 14:26| Përditesimi: 26 Gusht 2023, 14:41

  • Share

E njohur gjerësisht si Nënë Tereza e Kalkutës, por me prejardhje shqiptare, Gonxhe Bojaxhiu, do të ishte sot 113 vjeçe. Në moshën 18-vjeçare, ajo u shpërngul nga Maqedonia e Veriut për në Irlandë dhe më pas në Indi, ku jetoi pjesën më të madhe të jetës së saj.

“Me gjak unë jam shqiptare. Me kombësi, indiane. Me besim jam një murgeshë katolike. Si thonë të gjithë, unë i përkas botës. Me zemër unë e ndiej që i përkas plotësisht zemrës së Jezusit”- tha Nënë Tereza në ceremoninë e marrjes së çmimit “Nobel”.

Nobelistja shqiptare Gonxhe Bojaxhiu – e njohur gjerësisht si Nënë Tereza e Kalkutës, por me prejardhje shqiptare, lindi më 26 gusht 1910 në Shkup, pjesë e Vilajetit të Kosovës në Perandorinë Osmane. Në moshën 18-vjeçare, ajo u shpërngul nga Maqedonia e Veriut për në Irlandë dhe më pas në Indi, ku jetoi pjesën më të madhe të jetës së saj.

Nënë Tereza themeloi Misionarët e Bamirësisë, një kongregacion fetar i cili në vitin 2012 kishte më shumë se 4,500 motra dhe ishte aktiv në 133 shtete. Shenjtorja shqiptare është nderuar me çmimet dhe nderimet më të larta për kontributin e dhënë në ndërtimin e paqes ndër vite, duke përfshirë: më 1962 Çmimin e Paqes “Ramon Magsaysay” dhe 1979 Çmimin “Nobel” për Paqe.

Më 19 tetor 2003, ajo u lumturua dhe u quajt “Tereza e Bekuar e Kalkutës”. Një mrekulli e dytë i është njohur nga Papa Françesku, në dhjetor të vitit 2015, duke i hapur rrugën që ajo të shpallet e Shenjtë nga Kisha Katolike e Romës. Kanonizimi i saj është bërë më 4 shtator 2016, një ditë para 19-vjetorit të vdekjes së saj (5 Shtator), ku njihet edhe si dita e saj e festës.

“Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha, por secili nga ne mund të bëjë gjëra të vogla me dashuri të madhe”- ishte porosia e Nënë Terezës.

 Shenjtorja shqiptare fliste rrjedhshëm pesë gjuhë, bengalisht, shqip, serbisht, anglisht dhe hindi. Në kulmin e Rrethimit të Beirutit në 1982, Tereza shpëtoi 37 fëmijë të bllokuar në një spital të linjës së përparme duke ndërmjetësuar një armëpushim të përkohshëm midis ushtrisë izraelite dhe guerileve palestinezë.

Në vitin 1991 ajo u kthye në Shqipëri për herë të parë, duke hapur një shtëpi të Misionarëve të Bamirësisë në Tiranë. Deri në vitin 1996, Tereza ka operuar 517 misione në mbi 100 vende.

M.T//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?