Agjencia e OKB-së për Refugjatët (UNHCR) dhe Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) u kërkuan sërish ditën e sotme qeverive evropiane që të ofrojnë me shpejtësi një vend sigurie për njerëzit që qëndrojnë në anijet e OJQ-ve (Organizata Jo qeveritare) në Mesdheun Qendror.
Në një deklaratë agjencitë deklaruan se thirrja e tyre është që të lejohet zbarkimi i menjëhershëm i 600 njerëzve që mbeten në anijet e OJQ-ve pasi u shpëtuan në zonat malteze dhe libiane të kërkimit dhe shpëtimit në Mesdheun Qendror.
Të paktën 1,337 njerëz janë zhdukur në rrugën e emigrimit të Mesdheut Qendror këtë vit, sipas Projektit të Emigrantëve të Zhdukur të IOM-it. Shumica e 88,000 njerëzve që mbërritën nga deti në Itali në vitin 2022 u shpëtuan nga Roja Bregdetare Italiane dhe anije të tjera shpëtimi të drejtuara nga shteti italian ose erdhën në mënyrë autonome, dhe 15% u shpëtuan nga anijet e OJQ-ve.
“Përpjekjet e Italisë për zbarkimin e rreth 400 personave, më të rrezikuarit në bord Humanity 1 dhe Geo Barents, duke përfshirë fëmijë që udhëtojnë vetëm dhe të tjerë që kërkojnë kujdes urgjent mjekësor, janë të mirëpritura. Megjithatë, nevojitet urgjentisht një zgjidhje për të gjithë të mbijetuarit e mbetur në të katër anijet në det”, thuhet në deklaratë.
UNHCR dhe IOM deklaruan se pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të avokimit, të mbijetuarit, disa prej të cilëve kanë qenë në det deri në dy javë, mbetën të bllokuar në bordin e katër anijeve të kërkim-shpëtimit të OJQ-ve në ujërat ndërkombëtare.
Ata thanë se 234 njerëz mbetën në varkën Ocean Viking, 217 në Geo Barents, 35 në Humanity 1 dhe 88 të tjerë në Rise Above.
“Ata që kanë mbetur të bllokuar duhet të zbarkohen me shpejtësi pa ndonjë vonesë të mëtejshme. Ne u bëjmë thirrje shteteve në rajon që të mbrojnë jetën e personave që kanë shpëtuar dhe t’u ofrojnë një vend të sigurt për zbarkimin”, thuhet në deklaratë.
Agjencitë e OKB-së thanë se zbarkimi i sigurt duhet të pasohet nga një ndarje kuptimplotë e përgjegjësisë midis të gjitha shteteve të interesuara përmes marrëveshjeve rajonale dhe bashkëpunuese. Të gjitha shtetet bregdetare mund të kryejnë më pas përgjegjësitë e tyre të kërkimit, shpëtimit dhe zbarkimit.
Ata theksuan se prioritet duhet të jetë shpëtimi i jetëve dhe respektimi i dinjitetit njerëzor.
“Ata që kanë ardhur nga Libia, në shumë raste kanë pësuar abuzime të rënda dhe shkelje të të drejtave të njeriut. Dënueshmëritë e të gjithë emigrantëve dhe refugjatëve që kalojnë Mesdheun duke përfshirë fëmijët e shoqëruar dhe të pashoqëruar, viktimat e trafikimit, të mbijetuarit e torturës duhet të identifikohen për të aktivizuar mekanizmat kombëtarë dhe ndërkombëtarë të mbrojtjes dhe pritjes”, thuhet në deklaratë.