Qendra e emigrantëve

Marrëveshja me Italinë për emigrantët, UNHCR do të monitorojë kampet në Shëngjin

15 Gusht, 17:25| Përditesimi: 15 Gusht, 19:28

  • Share

Agjencia për refugjatë e Kombeve të Bashkuara (UNHCR), që ka shprehur shqetësime të thella lidhur me marrëveshjen e Italisë për të shqyrtuar disa kërkesa për azil të emigrantëve në dy qendra në Shqipëri, është pajtuar që të monitorojë tre muajt e parë të zbatimit të marrëveshjes.

UNHCR theksoi se nuk është pjesë e marrëveshjes mes Italisë dhe Shqipërisë, duke shtuar se ende ka rezerva lidhur me marrëveshjen. Kjo agjenci tha po ashtu se ka kërkuar sqarim se si do të zbatohet marrëveshja.

Por, UNHCR-ja tha më 15 gusht se është pajtuar të monitorojë zbatimin, në mënyrë që të ndihmojë “në respektimin e të drejtave dhe dinjitetit të personave që janë subjekt” i marrëveshjes.

Agjencia tha se do të këshillojë emigrantët për të drejtën e tyre për të kërkuar azil dhe do të sigurohet që procedurat që do të përdoren të jenë “në vijë me standardet ndërkombëtare dhe rajonale për të drejtat e njeriut, të jenë të drejta dhe të ofrojnë mbrojtje dhe zgjidhje për ata që kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare”.

Në fund të periudhës 3-mujore, UNHCR-ja do t'i vërë në dispozicion rekomandimet e saj qeverisë italiane dhe aktorëve të tjerë të interesuar. Prioritet i UNHCR-së mbetet mbrojtja e refugjatëve dhe azilkërkuesve, gjë që është arsyeja e angazhimit monitorues të UNHCR-së. Kjo përgjegjësi është në thelb të mandatit të UNHCR-së, të cilin Agjencia e ka kryer në të gjithë botën për mbi 70 vjet, edhe në situatat më të vështira dhe komplekse.

Emigrantët e parë pritet të mbërrijnë në Shëngjin më 1 shtator. Marrëveshja me Italinë për emigrantët u firmos më 6 nëntor 2023 në Romë mes kryeministrit Edi Rama dhe kryeministres italiane Giorgia Meloni dhe ngjalli shumë detabe në të dy anët e Adriatikut.

Sipas marrëveshjes me Italinë të nënshkruar mes dy qeverive më 6 nëntor të vitit të shkuar, porti i zbarkimit të refugjateve nga vendet e treta do të jetë Shëngjini, ku është ngritur qendra pritëse, ndërsa në Gjadër po ndërtohet kampi ku do të qëndrojnë deri në shqyrtimin e kërkesave për azil.

Kapaciteti maksimal i numrit që do të presë qendra në Shqipëri nuk mund të jetë më shumë se 3 mijë emigrantë në muaj dhe në përfundim të procedurave të vlerësimit autoritetet italiane do të largojnë me shpenzimet e tyre refugjatet nga territori shqiptar.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?