UNICEF: Mbi 69 milionë fëmijë jetojnë në varfëri në 40 vendet më të pasura të botës

6 Dhjetor 2023, 08:39| Përditesimi: 6 Dhjetor 2023, 08:41

  • Share

Megjithëse ka pasur disa përmirësime vitet e fundit, UNICEF thotë se më shumë se 69 milionë fëmijë jetojnë në varfëri në 40 vendet më të pasura të botës. Me fjalë të tjera varfëria prek më shumë se një në pesë fëmijë.

Midis 2012-2014 dhe 2019-2021, numri i fëmijëve që jetonin në varfëri ra me rreth 8% në afërsisht 40 vendet e Bashkimit Evropian dhe OECD. Një përqindje që përfaqëson rreth 6 milionë fëmijë të paktën nga 291 milionë fëmijë në total, shpjegohet në një raport të publikuar të martën mbrëma nga UNICEF.

Por “mbi 69 milionë fëmijë mbetën ende në varfëri” në fund të vitit 2021.

“Për shumicën e fëmijëve, kjo do të thotë se ata përballen me rrezikun e rritjes pa ushqime, veshje, pajisje shkollore dhe një shtëpi të ngrohtë”, komentoi Bo Victor Nylund nga UNICEF Innocenti, duke theksuar ndikimin e mundshëm në shëndetin e tyre fizik dhe mendor.

Raporti këmbëngul në nevojën e krijimit të mjeteve konkrete të mbrojtjes sociale për të garantuar mirëqenien e fëmijëve dhe mbi vullnetin politik në vendet në shqyrtim, duke theksuar se nxjerrja e fëmijëve nga varfëria nuk është diçka që ndodh automatikisht kur pasuria e një vendi rritet.

Pavarësisht përmirësimit të përgjithshëm, dallimet e trajektores midis disa vendeve janë të habitshme.

Që nga viti 2012, përkeqësimi më i madh i situatës është regjistruar në disa nga vendet më të pasura të botës: Mbretëria e Bashkuar (+19.6% fëmijë të varfër, ose gjysmë milioni, në një vend ku shkalla e varfërisë së fëmijëve tashmë ka kaluar 20% në 2021), në Islandë (+11%) si dhe në Francë (+10.4%).

S.S/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?