Ilir Proda me gazetarët

Kronikë

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë i qarkut Fier vlerëson me Certifikatë të Mirënjohjes Prodën: Puna juaj ka ndikuar pozitivisht në krijimin e një klime besimi

14 Gusht, 14:51| Përditesimi: 14 Gusht, 15:00

  • Share

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, qarku Fier, vlerëson me Certifikatë të Mirënjohjes Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, për bashkëpunimin mjaft të mirë, transparent dhe në kohë, mes Policisë së Shtetit dhe medias, duke e konsideruar këtë bashkëpunim, si një model me standarde europiane, në funksion të interesit publik.

Proda priti në një takim një përfaqësi të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Qarku Fier, takim institucional që shënoi një moment domethënës vlerësimi dhe reflektimi mbi arritjet dhe sfidat e përbashkëta.

Në këtë frymë pozitive bashkëpunimi, në emër të gazetarëve të qarkut Fier, kryetari i Unionit, Vladimir Muçaj, së bashku me gazetarët Mariglen Bita dhe Ervis Profka si dhe gazetarin Fatmir Popja, një nga themeluesit e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, i dorëzuan Prodës, Çertifikatën e Mirënjohjes, me motivacionin:

“Për kontribut të veçantë në forcimin e transparencës institucionale dhe përmirësimin e ndjeshëm të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit ndërmjet Policisë së Shtetit dhe medias. Puna juaj ka ndikuar pozitivisht në krijimin e një klime besimi, respekti dhe bashkëpunimi të ndërsjellë, duke e bërë informacionin publik më të aksesueshëm dhe komunikimin me gazetarët më efikas.”

Proda e cilësoi takimin si një moment të rëndësishëm dialogu dhe vlerësimi të ndërsjellë, jo vetëm me gazetarët e unionit të qarkut Fier, por me të gjithë gazetarët brenda dhe jashtë vendit që kanë interes të bashkëpunojnë dhe komunikojnë me Policinë e Shtetit, duke shprehur angazhimin e Policisë për të thelluar më tej marrëdhëniet me median, si një komponent thelbësor i forcimit të rendit dhe sigurisë publike.

“Së pari, më lejoni t’ju shpreh mirënjohjen time të sinqertë për këtë certifikatë vlerësimi, të cilën nuk e shoh thjesht si një çmim personal, por si mirënjohje për të gjithë Policinë e Shtetit, që prej kohësh e konsideron median si një partner të domosdoshëm në përmbushjen e misionit tonë.

Gazetarët janë gur themeli i shoqërisë, ura lidhëse mes Policisë dhe qytetarëve, syri dhe veshi i tyre, por dhe pasqyra ku ne shohim punën tonë. Shpeshherë, jeni edhe oponenca konstruktive që na ndihmon të kuptojmë se ku duhet të përmirësohemi.

Transparenca dhe marrëdhënia korrekte me median nuk janë vetëm detyrim ligjor, por kulturë pune dhe bindje personale imja, të cilën e kam vendosur në themel të veprimtarisë sonë institucionale.

Ju siguroj se ky standard komunikimi dhe bashkëpunimi do të mbetet gjithmonë prioritet i Policisë së Shtetit. Ne do të jemi të hapur, të përgjegjshëm dhe të gatshëm për dialog, sepse e dimë se kur Policia dhe media punojnë së bashku me ndershmëri e besim, qytetarët fitojnë siguri, si dhe të vërtetën dhe shpresën për një shoqëri më të drejtë.

Dua t’ju siguroj gjithashtu se Policia e Shtetit tashmë ka një udhëzues dhe protokoll sigurie për mbrojtjen e gazetarëve, si dhe një pikë kontakti që ndjek në dinamikë çdo denoncim apo shqetësim tuajin. Ne jemi të angazhuar maksimalisht për sigurinë dhe mbrojtjen tuaj", tha Proda.

Kryetari i Unionit, Vladimir Muçaj shprehu mirënjohje për Prodën dhe komunikimin që ka ky i fundit me gazetarët.

"Ky vlerësim është një dëshmi e qartë e progresit që ka bërë Policia e Shtetit në ndërtimin e një kulture të re institucionale, ku media nuk shihet si një pengesë, por si një partner përmes së cilës informacioni i saktë, i verifikuar dhe i shpejtë mbërrin te qytetari. Kjo marrëdhënie nuk është ndërtuar rastësisht. Ka qenë iniciativa e kësaj dege të Unionit dhe e të tjerave në Shqipëri, të përbëra nga gazetarë me përvojë shumëvjeçare dhe kontribute të rëndësishme në median kombëtare dhe lokale, që kanë nxitur dhe konsoliduar këtë bashkëpunim. Ky komunitet profesional gazetarësh, që i njeh sfidat dhe përgjegjësitë e informimit publik, e konsideron thelbësore që bashkëpunimi me institucionet ligjzbatuese të jetë i strukturuar, i sinqertë dhe i dobishëm për shoqërinë.

Të falënderojmë me shumë sinqeritet për komunikimin që ke në përgjithësi me gazetarët, që pavarësisht ngarkesës së madhe të punës që ke, na kthen përgjigje në kohë reale, dhe kjo është hera e parë që ndodh në Policinë e Shtetit, që një Drejtor i Përgjithshëm i përgjigjet medias në kohë dhe duke adresuar tek personat përgjegjës për zgjidhjen e kërkesave të gazetarëve. Faleminderit Drejtor”, tha Vladimir Muçaj.

Gjatë takimit u diskutua gjerësisht për aspekte që mund të përmirësohen më tej në marrëdhënien media–polici, për sfidat në raportimin korrekt të ngjarjeve kriminale, për komunikimin më efikas në situata emergjente dhe për rritjen e aksesit të gazetarëve te informacioni zyrtar, pa cenuar hetimet apo proceset ligjore në vijim.

Një element i veçantë i takimit ishte edhe dhurimi i librit të gazetarit Mariglen Bita, i cili trajton çështje kyçe të funksionimit të medias dhe sfidat profesionale që e shoqërojnë atë në Shqipëri.

Takimi tepër miqësor u përmbyll me angazhimin e të dyja palëve për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet Policisë së Shtetit dhe gazetarëve në tërësi, duke u bazuar në parimet e transparencës, respektit institucional dhe profesionalizmit.

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A e zgjidh emergjencën e zjarreve në Shqipëri blerja e avionëve zjarrfikës?