Sipas këtij vendimi, qeveria detyrohet të paguajë një shtesë prej 14 mijë lekësh mbi pagën bazë të çdo magjistrati që nga viti 2019 e në vazhdim dhe të pranojë një përllogaritje të re të pensionit për magjistratët në bazë të kontributeve, duke hequr si referencë pagën e Presidentit të Republikës.
Vendimi që u mundëson rritjen e pagës magjistratëve u mor njëzëri nga Gjykata Kushtetuese.
Sipas njoftimit të publikuar në faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese, trupa vendosi “shfuqizimin e nenit 12, pika 5, shkronja “a”, të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë” dhe “Shfuqizimin e nenit 1, pika 7, paragrafi i dytë, shkronjat “a”, “b” dhe “c” të ligjit nr.8097, datë 21.03.1996 “Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit”, të ndryshuar, si të papajtueshëm me Kushtetutën”.
Beteja e gjyqtarëve për të përfituar shtesë page nisi në fillim të vitit 2021, pas një auditimi të bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në Këshillin e Lartë Gjyqësor. Sipas raportit të KLSH, një gabim në interpretimin e ligjit u ka mohuar gjyqtarëve 14 mijë lekë në muaj dhe se paga referencë e tyre duhet të ishte 132.100 lekë nga 118.000 lekë që ishte llogaritur deri në atë kohë. KLSH-ja e bëri përllogaritjen e re duke u bazuar në një Vendim të Këshillit të Ministrave të vitit 2017 për miratimin e strukturës dhe të niveleve të pagave të nëpunësve civilë.
Ministria e Financave në atë kohë refuzoi të zbatonte rekomandimin, duke e cilësuar atë të padrejtë dhe me një kosto të lartë në buxhetin e shtetit, kosto që sipas zyrtarëve të ministrisë shkon në 20 milionë dollarë vetëm për periudhën janar 2019 –maj 2021.
Ndërkohë nuk dihet se sa është kostoja financiare e përllogaritjes së pensionit të ri për gjyqtarët pas shfuqizimit të nenit në ligjin e vitit 1996.
Kuvendi ndërhyri në ligjin e vitit 2016, duke e ndryshuar nenin përkatës ku ishte bazuar rekomandimi i KLSH-së, por rreth 150 gjyqtarë iu drejtuan Gjykatën Administrative duke fituar gjyqet kundër KLGJ-së dhe në nëntor e çuan çështjen edhe në Gjykatën Kushtetuese.
Seanca për shqyrtimin e çështjes u mbajt me 15 nëntor dhe Kuvendi parashtroi argumentet kundër kërkesës së gjyqtarëve, duke e cilësuar një keqkuptim interpretimin e nenit ligjor nga ana e KLSH-së.
Kuvendi pretendoi se kërkesa e gjyqtarëve ishte e pabazuar dhe se vullneti i ligjvënësit kishte qenë i qartë dhe i saktë në përllogaritjen e pagës së magjistratëve që në momentin kur janë hartuar ligjet e “Reformës në drejtësi”./ Reporter.al