Imuniteti që ofron vaksina kundër koronavirusit mund të zgjasë deri 5 vite.
Kështu është shprehur Sarah Gilbert, ekspertja me famë botërore që drejton ekipin e Universitetit të Oksfordit, i cili është në hapat e fundit për krijimin e vaksinës anti Covid
Profesoresha Sarah Gilbert u tha deputetëve britanikë se vaksina mund të sigurojë “një zgjatje të mirë të imunitetit, ndoshta deri në 5 vite.”
Prej disa kohësh është ngritur shqetësimi nëse vaksina kundër koronavirusit do mund të ofrojë imunitet të përhershëm. Gjithashtu ka patur zëra se koha e imunitetit prej vaksinës do ishte e shkurtër, ndoshta disa muaj.
Gilbert i tha gjithashtu Komitetit të Shkencës dhe Teknologjisë se vaksina mund të ketë një rezultat më të mirë sesa imuniteti i fituar te individët e shëruar nga infeksioni.
Më 15 qershor, Drejtori i Përgjithshëm i kompanisë prodhuese farmaceutike “AstraZeneca”, Pascal Soriot, e cila bashkëpunon me Universitetin e Oksfordit, deklaroi se ka filluar prodhimi industrial i vaksinës anti Covid paralelisht me fazën e provave klinike, edhe pse ekziston rreziku financiar, por kjo, sipas tij, është mënyra e vetme për të qenë gati për të nisur me shpërndarjen e saj në muajin tetor.