Universiteti Politeknik i Tiranës do të kthejë Zonën e Trajtimit të Mbetjeve në Zonë të kërkimeve shkencore. Marrëveshja midis shoqërisë koncesionare që operon në Sharrë “Integrated Energy” dhe Universitetit Politeknik, u firmos nga rektori i universitetit Politeknik prof dr. Andrea Maliqari dhe nga administratorja e “Integrated Energy” zonja Ariola Kodra.
Sipas kësaj marrëveshje studentë të fakulteteve të ndryshme në këtë Universitet do të kenë mundësi të zgjerojnë studimet e tyre në fushën e energjisë së rinovueshme dhe atë të trajtimit të mbetjeve, të mbrojnë doktoraturat dhe punimet shkencore në Landfillin e Sharrës. Universiteti dhe shoqëria koncesionare “Integratet Energy” nëpërmjet këtij bashkëpunimi i hapin rrugën shkëmbimit të eksperiencave si dhe punësimit të të rinjve në këtë sektor inovativ sic është trajtimi i mbetjeve. Universiteti Politeknik është universiteti i dytë publik, pas Universitetit Bujqësor që firmos këtë marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë koncesionare IEBV. Administratorja e kompanisë znj Ariola Kodra gjatë takimit premtoi dy vende pune për studentët ekselent të Universitetit Politeknik të Tiranës.