Politikë

Politekniku marrëveshje me qeverinë, Rama: Praktikë me pagesë për studentët! Më shumë angazhim për AI

1 Tetor, 10:31| Përditesimi: 1 Tetor, 15:31

  • Share

Të rinjtë që studiojnë në Universitetin Politeknik të Tiranës do të kenë mundësi të bëhen pjesë e praktikave të paguara të punës në institucione shtetërore. Sipas Marrëveshjes së nënshkruar këtë të mërkurë mes këtij universiteti dhe Ministrisë së Infrastrukturës së Energjisë, faza e parë e programit parashikon përfshirjen e 10 studentëve me kohë të plotë pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar, ndërsa faza e dytë do të vijojë me 15 studentë të tjerë.

Studentët do të përfshihen në sektorë të ndryshëm të ARRSH-së dhe do të kryejnë vizita javore në terren, për të njohur nga afër proceset e zhvillimit të infrastrukturës, përfshirë ndërtimin e urave, tuneleve dhe segmenteve të reja rrugore. Një element i rëndësishëm do të jetë edhe barazia gjinore, duke synuar përfshirjen e sa më shumë vajzave, pavarësisht se bëhet fjalë për sektorin e industrisë së rëndë, transport apo energji.

Shefi i qeverisë, Edi Rama në fjalën e tij, u shpreh se këto praktika pune dhe të tjera programe që pritet të vihen në punë në të ardhmen, janë një mundësi e madhe për të ndihmuar studentët në rritjen e vizionit jashtë programit studimor.

"Dua të sjell në vëmendje aktin se qysh kur ne e shpallëm pakti për universitetin, procesi i ndërveprimit me universitetin sipas fushave, ka njohur zhvillime të vazhdueshme dhe eksperienca na ka mësuar që në këto bashkëpunim me fakultete të ndryshme, ka shumë për të mësuar dhe njëkohësisht ka gjithmonë më shumë për të bërë. Programi i sotëm është shprehje e këtij fakti, por njëkohësish përtej këtij programi, që do të mundësoje rekrutimin për një praktikë të vecantë për një numër studentesh të këtij unviersiteti. Ne duam që të shkojmë dhe më tutje dhe duam të artikulojmë edhe më shumë programe të posaçme e kësaj natyre, për t’i dhe mundësi të gjithë studentëve që të fillojnë të materializojnë në perspektivë të së nesërmes pa mbaruar ende studimet, dhe të përfshihen në praktika pune që ju sigurojnë një informacion të domosdoshëm sesi mund të bëhen pjesë e trupave të ndryshme që operojnë në funksion të interesave të Shqipërisë.

Për të krijuar ura të reja, kanale të reja bashkëpunimi në mënyrë që investimet dhe mbështetja e drejtpërdrejtë e qeverisë për universitarin të shkojë në funksion të përfitimit të ndërsjelltë. Praktikat e punës tani janë bërë rutinë dhe çdo vit ne kemi në numër të konsiderueshëm studentësh të cilët kanë mundësinë të shfrytëzojnë këto praktika për të realizuar pikërisht këtë tranzicion nga universiteti në jetën e përditshme.

Ndërkombëtarizmi është një proces që ka filluar të na japë rezultatet e para, por duhet që qeveria dhe trupa drejtuese e universiteteve të shtyjnë më shumë në mënyrë që shumë nga koha e humbur të rifitohet. Ne po bëjmë shumë përpjekje për të sjellë realiteti të reja akademike nga jashtë në Shqipëri dhe duam të mbështesim dhe më shumë përpjekjet që universitet bëjmë për tu hapur drejt botës", tha Rama.

Kryeministri në mbyllje të fjalës së tij, iu drejtua të gjithë pedagogëve të universiteteve për të pasur një angazhim të shtuar në rritjen e komponentit të Inteligjencës Artificiale, si dhe për ta integruar në të gjitha hapësirat e universiteteve të vendit. Ndër të tjera, Rama tha se inteligjenca artificiale do të jetë pjesë e buxhetit që do të hartohet për vitin e ardhshëm.

Sipas Ministrisë së Infrastrukturës, me nisjen e linjës hekurudhore Tiranë Durrës brenda 2026 do të nevojiten persona të trajnuar. Nga ana tjetër, javën e ardhshme në Tiranë do të vijë një nga kompanitë më të mira në fushën e mirëmbajtjes së avionëve për të nisur intervistat e para dhe për të rekrutuar 40 punonjës për mirëmbajtjen e avionëve, si mundësi e mirë punësimi për studentët.

Ora 10:43
Rama batuta: Si përfaqësuesi i gjinisë më të dobët, duhet ta pranojmë se gratë janë më përpara se ne! Të dorëzohemi me dinjitet para këtij fakti

 

Kryeministri Edi Rama tha se marrëveshja mes Ministrisë së Infrastrukturës e Energjisë dhe Universitetit Politeknik të Tiranës synon që të rrisë edhe numrin e vajzave që bëhen pjesë. Kreu i qeverisë nuk kurseu batutat teksa tha se djemtë dhe burrat duhet ta pranojnë se vajzat dhe gratë janë përpara tyre.

“Për studentet që do përfshihen në këtë program, që synon rritjen e numrit të vajzave në një fushë, kur në fakt ne nuk është se kemi një problem të pabarazisë gjinore, por programi është i tillë dhe nuk kemi arsye që ta refuzojmë për sa kohë hyn në një kuadër më të gjerë ndërveprimi me një institucion të rëndësishëm ndërkombëtrar, përsëris thirrjen që djemtë të mos dekurajohen nga mbështetja për vajzat. Tanimë edhe koha po e provon se mbështetja për gratë dhe vajzat është investimi më i duhur dhe i frytshëm dhe shpresoj që të jetë investim që qoftë edhe për inat t’i motivojë më shumë burrat se përgjithësisht janë më të rehatuar nga pikëpamja e procesit të të menduarit sesa gratë dhe vajzat. Na duhen sa më shumë njerëz të motivuar dhe të parehatuar me veten por në kërkim të vazhdueshëm të sprovave dhe në sfidë me veten. Si përfaqësuesi i gjinisë më të dobët, duhet që edhe bashkëvuajtësit burrat dhe djemtë ta pranojnë se gratë janë më përpara se ne. Duhet të dorëzohemi me dinjitet përpara këtij fakti dhe të përpiqemi të rikuperojmë sa të mundemi të bindur se s’do t’i kalojmë asnjëherë por të arrijmë të jemi në lartësinë e të qenit bashkëudhëtarë të tyre.”, përfundoi kryeministri.

Ora 10:37
Rama: Pedagogët dhe studentët të angazhohen më shumë në funksion të AI, mbështetje edhe me buxhetin e ardhshëm

 

Kryeministri Edi Rama iu bëri thirrje pedagogëve dhe studentëve që të angazhohen sa më shumë në funksion të rritjes së komponentit të Inteligjencës Artificiale, dhe për ta integruar në të gjitha hapësirat e Universiteteve të vendit. Ai tha se AI do ta kenë në vëmendje edhe në buxhetin e vitit të ardhshëm.

“Në nuk do të mjaftohemi me kaq, se përtej kësaj infrastrukture të re, është e domosdoshme të mbështesin Universitetin për t’u fuqizuar me laboratorët e nevojshëm dhe teknologjinë e nevojshme, që ndryshimi epokal që po ndodh kudo në botë ta përfshijë fuqimisht edhe universitetin. Dua ta mbyll me këtë ndryshim dhe domosdoshmërinë që në çdo universitet të krijojmë sa më parë hapësira për t’i dhënë mundësi pedagogëve dhe studentëve që të aktivizojnë talentet dhe dijet e tyre, kuriozitetin e tyre intelektual për AI, është e domosdoshme dhe e mundur. Ajo çka e bën ekzaltuese AI është se ka pak rëndësi se në cilën pikë të globit ndodhesh dhe në cilin rresht të klasifikimit të vendeve ndodhet vendi ku ti jeton pasi përmes AI mund të bëhen kapërcime epokale që do të ishin krejtësisht të pamundura pavarësisht talenteve, vullnetit dhe ambicieve. Në funksion të kësaj, do përgatitemi që në buxhetin e vitit të ardhshëm të kemi një komponencë të mbështesim të gjitha sprovat që do t’ia vlejnë të mbështeten në këtë drejtim dhe iu bëj thirrje pedagogëve dhe studentëve që të angazhohen sa më shumë për të punuar së bashku në funksion të rritjes së komponentit të Ai në të gjitha hapësirat e universiteteve tona”, tha Rama.

K.B/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Begaj shpalli zgjedhjet në Tiranë pa pritur Kushtetuesen për Veliajn, si iu duket?