Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti theksoi në mbledhjen e sotme të qeverisë se hapja e urës së Ibrit është e domosdoshme për lëvizjen e lirë, megjithatë po koordinohet me partnerët. Hapja e urës, garantoi ai, nuk është kundër askujt.
Kryeministri Albin Kurti garantoi se hapja e Urës së Ibrit në Mitrovicë nuk është kundër askujt, e aq më pak partnerëve të Kosovës. Në nisje të mbledhjes së Qeverisë, Kurti tha se Kosova është shtet normal dhe se si i tillë duhet t’i ketë edhe urat të hapura.
“Qeveria dhe unë besojmë se liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit në njërën anë dhe paqja e siguria në anën tjetër janë të mundura bashkë dhe të duhura për vendin, shoqërinë dhe shtetin, qytetarët dhe komunitetet. Do të vazhdojmë diskutimet dhe koordinimin me partnerët tanë. Hapja e urës s’është kundër askujt, aq më pak partnerëve tanë. Kosova është shtet normal dhe urat e saj duhet të jenë normale, që do të thotë të hapura”, ka thënë Kurti.
Rihapja e urës për qarkullim edhe të automjeteve, e cila ndan Mitrovicën në jug me shumicë shqiptare dhe në veri me shumicë serbe, është kundërshtuar nga bashkësia ndërkombëtare dhe nga serbët lokalë. Ushtarët italianë të KFOR-it ndodhen në urën mbi lumin Ibër, krah pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
Vendet e QUINT-it, SHBA, Britania, Franca, Gjermania dhe Italia, e kanë quajtur të njëanshëm synimin e Qeverisë së Kurtit për rihapjen në këtë kohë, ndërsa E-ja ka bërë thirrje që çështja e urës të diskutohet në dialog me Serbinë.