‘Ura e Zogut’ monument kulture në rrezik shembje, arkitektja: Heshtja e ministrisë e implikon në këtë 'krim' për të shkatërruar urën

17 Dhjetor 2022, 12:36| Përditesimi: 17 Dhjetor 2022, 14:04

  • Share

Prurjet e shumta të Matit kanë dëmtuar Urën e Zogut në Milot, monument kulture i kategorisë së parë. Në pamjet e xhiruara nga Report Tv, shihet fundosja e këmbës së urës për afro dy metra dhe dëmtimi i gjithë strukturës së saj. Ura shihet sikur do të rrëzohet nga momenti në moment, ndërsa në të është vendosur një shirit që ndalon qytetarët që të kalojnë mbi të, pasi përbën rrezik.

Arkitektja Doriana Musai në një intervistë për Report Tv thotë se ky degradim i urës ishte si një ‘vdekje e paralajmëruar’. Sipas Musait dëmtimet janë bërë për shkak të marrjes së inerteve në lumë, ndërsa heshtja e ministrisë e implikon atë në këtë krim për të shkatërruar urën.

‘Kemi shumë pak të tilla në territor. Askush nuk po ndërhyn për të bërë diçka për të shpëtuar është një vdekje paralajmëruar. Dëmtimet që kanë pësuar këmbët e urës për shkak të ndërhyrjeve për të marrë materiale inertesh ka bërë që bazamenti të çedojë. Kjo është paralajmëruar në kohë nga ana e banorëve dhe arkivistëve. Po e lënë të degradojë. Heshtja e ministrisë tregon implikim në këtë lëshim të monumentit, pa ndërhyre dhe pa marrë asnjë masë. Është paralajmëruar në kohë. Heshtja e ministrisë tregon implikim në këtë krim duke e lënë urën të rrënohet. Është nga urat e ndërtuara në fillim të shtetit shqiptar. Është një kryevepër inxhinierike. Ka qenë një eksperiencë e sjellë nga austriakët. Cilësohet për nga pikëpamja artektonike është një nga urat me të bukuar të Ballkanit. Është unikale në llojin e vet. Këtë urë nuk e gjen në asnjë vend tjetër te Europës.’- tha Musai.

Ura e Zogut historia 95 vjeçare “E Portës së Veriut”
Ura me harqe, njohur si Ura e Zogut është një nga më të veçantat sa i përket stilit arkitekturor, u ndërtua në Maj të vitit 1927-të dhe gjendet në Milot. Ura me 6 harqe, e gjatë 500 metra u ndërtua nga Mbreti Zog, ndaj ka marrë emrin e tij. Ndërsa projekti u hartua nga inxhinieri zviceran,  Erëin Schnitter dhe punimet në terren u zbatuan nga inxhinieri shqiptar, Gjovalin Gjadri. Për shumë vite shërbeu si portë për të hyrë në Shqipërinë e Epërme, që përfshin Shkodrën, Lezhën, Mirditën, Tropojën, Kukësin, Pukën etj.

Më tej, ndërtimi i dy urave të tjera përgjatë lumit Mat, ka bërë që ura e Zogut të mos përdoret për automjetet por vetëm për këmbësorët. Në vitin 1999, Ministria e Kulturës do ta njihte zyrtarisht si monument kulturor e historik, duke e marrë në mbrojtje, në kohën kur kishte nisur ngadalë degradimi i saj. Në vitin 2001 u rikonstruktua me financimin gjerman dhe të shumta qenë vlerësimet për vlerat arkitekturore dhe inxhinierike.

Në dy dekadat e fundit, Ura e Zogut, Monument Kulture i Kategorisë së Parë nuk ka njohur asnjë restaurim. Lënë në harresë nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, ajo ka degraduar edhe si pasojë e shfrytëzimit pa kriter të inerteve në lumin Mat. Një vit më parë Report TV, transmetoi pamje dhe apeloi për ndërhyrje pasi ura rrezikon shembjen, ndërsa në Mars të këtij viti, Europa Nostra – Zëri Evropian i Shoqërisë Civile për Trashëgiminë Kulturore e përfshiu Urën e Zogut në listën e shtatë monumenteve më të rrezikuara në Europë.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?