Ura e Zogut ‘nën kthetrat e degradimit’, aktivistët: Ndërhyni! Projekti për rindërtimin, gati! Ministria: Puna nis së shpejti

5 Korrik 2023, 16:10| Përditesimi: 5 Korrik 2023, 16:23

  • Share

Projekti i shpëtimit të Urës së Zogut nga degradimi endet nëpër procedurat e tenderimit edhe pse i miratuar që prej shkurtit të këtij viti. Aktivistët sërish ngrenë alarmin për ndërhyje urgjente në këtë monument të kulturës.

Me degradimin e Urës së Zogut, Shqipëria rrezikon të humbasë një nga monumentet më të rëndësishme. Edhe pse projekti për shpëtimin e saj është miratuar, duket se ende nuk ka gjetur zbatim.

Që nga ndërtimi i saj në 1927-ën, ura me harqe, njohur si Ura e Zogut, vijon të degradojë dita-ditës dhe tashmë ka prekur ekstremin.

Projekti i Ministrisë së Kulturës për shpëtimin e këtij monumenti nga shembja e plotë është miratuar në muajin shkurt të këtij viti, por nuk ka nisur ende zbatimin.

“Punimet duhet të fillonin në maj, nuk kemi asnjë informacion për zhvillimin e këtij projekti. Kemi dashur të nisim një fushatë online për të rizgjuar komunitetin dhe institucionet, shumë shpejt vjeshta do të jetë këtu dhe nuk dihet fati I urës. Kam frikë se vjeshta do të jetë fatale”, u shpreh Emarilda Leti, aktiviste.

Drejtoresha e Kulturës Kombëtare në Shkodër, Besara Potgorica, bën më dije se investimi është në proces tenderimi dhe se do të zbatohet në një kohë shumë të shpejtë.

Ura me 6 harqe, e gjatë 500 metra u ndërtua nga Mbreti Zog dhe në vitin 1999, Ministria e Kulturës do ta njihte zyrtarisht si monument kulturor e historik, duke e marrë në mbrojtje, në kohën kur kishte nisur ngadalë degradimi i saj. 

Në dy dekadat e fundit, Ura e Zogut, Monument Kulture i Kategorisë së Parë nuk ka njohur asnjë restaurim, ku zëri Evropian i Shoqërisë Civile për Trashëgiminë Kulturore e përfshiu Urën e Zogut në listën e shtatë monumenteve më të rrezikuara në Europë.

M.T//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?