‘Ura e Zogut’, sfida e 2023, a do ta shpëtojnë ministritë? Kallfani: Grupi i ngritur, të mos jetë thjesht si burokraci, është vepër unikale

3 Janar 2023, 18:06| Përditesimi: 3 Janar 2023, 18:12

  • Share

Me një këmbë thuajse të ceduar, gërryerje të shtratit, amortizim,  degradimi i Urës 95-vjeçare me harqe që lidh dy ekstremet e lumit “Mat” ka prekur ekstremin. Shirat e dendura kanë përkeqësuar situatën, e nëse nuk merren masa mund ta çojnë drejt zhytjes. Viti 2023, sa i përket monumenteve në rrezik, nis me sfidën e rimëkëmbjes së kësaj ure historike të ideuar nga Mbreti Zog.

“Është një monument, i cili nuk ka vlera thjesht sepse është një monument kulture, por edhe sepse është një vepër inxhinierike e rrallë për momentin që është ndërtuar. Është një vepër shumë komplekse, ndaj është e pamundur të mendosh që vetëm Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, apo qoftë edhe Ministria e Kulturës meqënse është monument kulture, është ajo përgjegjësja kryesore për të. Duhet të theksojmë se këtu ka problematika të mëdha, që nga jo vetëm mirëmbajtja, por edhe nga ruajtja e mos dëmtimeve, ka gërmime... Unë ftoj të gjitha organet e pushtetit vendor, të jenë më të vëmendshme, jo vetëm ndaj urës së lumit “Mat”, por ndaj të gjitha monumenteve”, thotë specialisti Eugen Kallfani, drejtor i Institutit të Trashëgimisë Kombëtare

Kambana e alarmit, ka kohë që bie, falë banorëve e aktivistëve, Ura e Zogut u përfshi edhe në listën e organizatës “Europa Nostra” si një nga “7 sitet më të rrezikuara”, por Ministria e Kulturës, thotë se për shpëtimin e saj, nuk mund të veprojë e vetme.

“Duhet një bashkëpunim përtej Ministrisë së Kulturës, me hallka si Instituti i Ndërtimit, Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit, ka grupe pune të ngritura, ne po mundohemi t’i koordinojmë ato. Presim dhe një grup ekspertësh gjermanë, në fillim të këtij viti. Jemi duke këqyrur në terren, ndërkohë që kemi bërë gati dhe materialet grafike”, shpjegon më tej Kallfani.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, tregon se grupi i punës është ngritur.

“Pjesë e grupit të punës, janë Ministria e Bujqësisë, Instituti i Ndërtimit, specialistë të fushës, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Kulturës po ashtu. Por ajo që duhet të kuptojmë është që ky grup nuk duhet të ngrihet në kuadrin e një procesi burokratik, ura, duhet të sjellë debat të hapur, teknik dhe shkencor, sepse është një vepër e rëndësisë së veçantë, unikale, jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë Evropën Juglindore”, shprehet më tej ai.

Ministria e Kulturës ka deklaruar se aktualisht Ura është nën monitorimin e Drejtorisë Rajonale të Shkodrës, specialistët janë në terren por për rimëkëmbjen e saj duhet një projekt ndërinstitucional.

“Ka një raportim, i cili është periodik. I tillë ka qenë që prej vitit të kaluar, deri në javët e fundit. Sa i përket dëmeve, ka një cedim, dhe kjo natyrshëm ka sjellë edhe mbylljen e urës, dhe moslejimin e aksesit përsa i përket mjeteve. Është pak komplekse të jepet një përgjigje edhe sa i përket shtratit të lumit. Është e vështirë të gjykojmë në kushte reshjesh, kushte prurjesh, por kam besim se ky fillim viti do të nisë me përpjekje maksimale nga të gjithë, duke dashur të bëhemi pjesë e zgjidhjes me specialistët më të mirë të fushës”, shprehet Kallfani.

G.MO//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sulejman Pumi: 03/01/2023 20:55

    Kjo nuk eshte pune per Eugen Kallfanin, Drejtor i Trashegimise Kulturore, ai eshte thjesht nje inventarizues i objekteve te Trashegimise Kulturore. Per ta kthyer uren ne idenditet, dhe e tille duhet te jete nderhyrja, duhen para dhe shteti mesa duket nuk i ka. Meqe Europa Nostra e ka vene ne liste si objekt i rrezikuar, duhet luftuar qe parate te sigurohen andej, ose 50% me 50%. Kur them duhet nderhyrje e plote, perfshij edhe rindertimin e harkut te 6 (nga ana e Lezhes, nga pese qe jane sot) qe u prish gjate monizmit dhe u zevendesua me kalim te sheshte. Por edhe ana ligjore dhe zbatimi i saj duhet te jete i rrepte, pa kompromis, dhe miniera e arit (keshtu me paten thene te huajt pas vitit 1990 per trashesine e zhavorit ekzistues) duhet te kontrollohet rreptesisht. Qe te vije ne nivelin pak a shume sikurse e ndertoi Morsch me harqet dhe tirantet e paratensionuar qe mbajne pjesen kaluese, duhen para, tru, dhe pune e specializuar. Vetem duke u rindertuar plotesisht dhe jo nderhyrje sa per te kaluar radhen e "vjedhur" parate, kjo ure mund te perfshihet ne inventarin e Trashegimise Kulturore dhe pse jo edhe te ekskursioneve turistike ne guidat e ndryshme. Dhe ketu nje rol shume te madh ka Fakulteti i Ndertimit, per opsionin qe permenda dhe me nje preventiv te sakte sa kushton nderhyrja. Ne te kunderten do flasim me vetveten nje muzike qe ka 40 vjet qe e degjojme.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?