Parlamenti i Malit të Zi ka miratuar marrëveshjen me Shqipërinë për ndërtimin e një ure të re mbi lumin Bunë, duke i hapur rrugën realizimit të një projekti të rëndësishëm infrastrukturor mes dy vendeve. Marrëveshja u nënshkrua më 27 shkurt 2023 në Podgoricë nga kryeministrat Edi Rama dhe Dritan Abazoviç dhe ishte ratifikuar më herët nga Kuvendi i Shqipërisë, duke hyrë në fuqi në qershor të vitit 2023.
Kjo urë, e gjatë 380 metra dhe e projektuar me tre harqe, do të shërbejë për kalimin e automjeteve, këmbësorëve dhe biçikletave, duke përmirësuar ndjeshëm lidhjet ndërkufitare mes Velipojës dhe Ulqinit. Projekti synon jo vetëm lehtësimin e lëvizjes, por edhe shfrytëzimin maksimal të potencialeve natyrore dhe kulturore të rajonit, duke nxitur zhvillimin ekonomik dhe turistik.
Financimi i ndërtimit, me një kosto totale prej rreth 20 milionë euro, do të mbulohet në mënyrë të barabartë nga të dyja vendet, përfshirë kostot e ndërtimit, mbikëqyrjes dhe shërbimeve të tjera teknike. Studimi dhe hartimi i projektit u përgatit me fondet e palës shqiptare, përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit (FSHZH).
Kjo urë do të ndryshojë tërësisht mënyrën e komunikimit midis dy vendeve pasi kanë 34 km plazhe të cilat për ti aksesuar qytetarët duhet të bëjnë rreth 1.5 orë rrugë për 73 km, rrugë që pas ndërtimit të urës do të shkurtohet në vetëm 310 metra.
Komente
