Uragani “Milton” shkaktoi erëra të fuqishme si dhe përmbytje në pjesën më të madhe të Floridës, pasi goditi tokën si një uragan i kategorisë 3 me erëra deri në 205 kilometra në orë, duke kërcënuar jetët e banorëve.
“Milton” u dobësua në një uragan të kategorisë 1 ndërsa lëvizi nëpër Florida të enjten. Ndërprerjet e energjisë elektrike kanë ndodhur në disa zona dhe janë raportuar viktima nga moti i keq.
Qendra Kombëtare e Uraganeve tha se shpejtësia e erës arriti deri në 205 km/h kur goditi bregun në Siesta Key, në jug Tampës. Zonat më të rrezikuara dhe me popullsi të dendur janë: Tampa, St Petersburg, Sarasota dhe Fort Myers.
Fort Myers - Shumë rrugë në zonën e Fort Myers janë nën ujë ose të bllokuara nga pemët e rrëzuara. Sipas autoriteteve lokale shumë rrugë ishin ose nën ujë ose të bllokuara nga pemët e rrëzuara, linjat e energjisë elektrike të rrëzuara ose mbeturina të tjera. Në disa zona lartësia e ujit në rrugë arriti deri në një metër. Një urë në lindje të qytetit Matlacha është pjesërisht e bllokuar, thanë zyrtarët.
Sipas autoriteteve lokale të Qarkut Hillsborough janë zhvilluar disa operacione shpëtimi. “Ekipet tona janë në terren, duke i çuar njerëzit drejt vendeve të sigurta”, njoftoi policia lokale. Zyrtarët në qytetin Pinellas të goditur rëndë gjithashtu po u bëjnë thirrje banorëve të qëndrojnë aty ku janë.
Sarasota- Në Sarasota, ekuipazhet e emergjencës raportuan për linjat e energjisë dhe pemët në rrugë. Disa ura nuk ishin të kalueshme. Autoritetet lokale iu bënë thirrje banorëve dhe pronarëve të bizneseve që të qëndrojnë në shtëpi për të lejuar ekipet e urgjencës të punojnë.
Qendra Kombëtare e Uraganeve tha se “Milton” po lëvizte në brigjet lindore të Floridës herët të enjten me erëra maksimale 137 kilometra në orë, për të arritur më pas në Bahamas.
Shkatërrimet e uraganit Milton në të gjithë Floridën shkaktuan ndërprerjen e energjisë elektrike për më shumë se 3 milionë shtëpi dhe biznese sipas kompanisë PowerOutages.us.
Ndërsa është ende një uragan i rrezikshëm, po më pak fuqishëm se uragani i rrallë i kategorisë 5 që kishte kërcënuar shtetin ndërsa udhëtonte mbi Gjirin e Meksikës drejt Floridës.
Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis tha se shpresonte që zona në Tampa, shtëpia e 3 milionë njerëzve dhe që parashikohej se do të pësonte dëme të mëdha duket se i ka shëptuar rrezikut.
Pse ishte aq i fuqishëm Milton?
Ujërat jashtëzakonisht të ngrohta në Gjirin e Meksikës këtë vit kanë nxitur rritjen e shpejtë të Miltonit. Ujërat në sipërfaqen e oqeanit kanë arritur temperatura rekord prej rreth 32 gradë Celsius gjatë dy sezoneve të fundit verore, sipas Administratës Kombëtare mbi Oqeanet dhe Atmosferën.
Zonat e evakuimit
Autoritetet lëshuan urdhra evakuimi të detyrueshme për të paktën një pjesë të banorëve, që ndodhen në 15 nga 67 qarqet e Floridës, ose përgjatë pjesës më të madhe të bregut perëndimor.
Kjo përfshin shumë prej 3.1 milionë banorëve që jetojnë në zonën metropolitane të Tampës, një grup i dendur komunitetesh përgjatë bregdetit dhe në ishujt e Gjirit të Tampës, i cili nuk ka qenë në gjurmët e një uragani prej më shumë se një shekulli.
Edhe pse banorët e Floridës janë mësuar me uraganet, shumë zyrtarë shtetërorë dhe lokalë i kanë paralajmëruar ata se Miltoni mund të jetë uragani më i fuqishëm që ata kanë parë.
Kryebashkiakja e Tampës, Jane Castor, e ka thënë hapur se “kushdo që nuk evakuohet nga zonat e ulëta, do të vdesë”.
Ekspertët parashikuan erëra shkatërruese e reshje të dendura që mund të shkaktojnë përmbytje të menjëhershme në pjesën më të madhe të Floridës qendrore.
Krahasimi mes Miltonit dhe uraganit Helen?
Shumë nga komunitetet që preken nga Miltoni u goditën muajin e kaluar nga uragani Helene dhe ende nuk e kanë marrë veten nga pasojat e tij. Uragani shkaktoi vdekjen e më shumë se 200 personave e përmbytje katastrofike kryesisht në pjesën perëndimore të Karolinës së Veriut dhe në lindje të Tenesit.
Në momentin më intensiv të tij, uragani Helene ishte një stuhi e kategorisë 4, me erëra të qëndrueshme prej rreth 220 km/h. Milton e kapërceu me shpejtësi atë, duke u bërë një stuhi e kategorisë 5 brenda disa orësh me erëra të qëndrueshme prej 285 km/h. Të mërkurën Milton u dobësua disi, duke u ulur në një uragan të kategorisë 4 dhe më tej në kategorinë 1.
Pesë uraganët më të fuqishëm të Atlantikut?
Milton është tashmë uragani i pestë më i fuqishëm i regjistruar në Atlantik. Uragani më intensiv i regjistruar para tij ishte Wilma në vitin 2005, ndjekur nga Gilbert në vitin 1988, ai që njihet si uragani i Festës së Punës, i vitit 1935, si dhe Rita në vitin 2005. /VOA