Urdhëroi e pagoi dy vrasje në Elbasan si shenjë hakmarrje për vëllain, Apeli mbyll në burg vëllain e 'Tarzanit'

15 Tetor 2020, 17:12| Përditesimi: 15 Tetor 2020, 18:17

  • Share

Erjon Alibej, njeriu që akuzohet nga prokuroria e Elbasanit se ka porositur dy vrasjet e Regis Runaj dhe Emiljano Ramazanit, ka dalë sot para gjykatës së Apelit Durrës, ku është njohur me masën e sigurisë “arrest në burg”. Gjyqtarët e Apelit kanë lënë të paprekur vendimin e shkallës së parë në Elbasan, duke urdhëruar vijimin e qëndrimit në burg të Erjon Alibej. Sipas dosjes hetimore, Erion Alibej, është njeriu që ka urdhëruar dhe ka sponsorizuar ekzekutimin e Emiljano Ramazanit (Ilit) të vrarë në datën 20 korrik 2020 dhe Regis Runaj të vrarë në 29 korrik 2020. Të dy viktimat ishin shokë me njëri-tjetrin dhe sipas dosjes ishin shpërndarës dhe përdorues të lëndëve narkotike në Elbasan. Vrasja e tyre sipas akuzës është urdhëruar nga Erjon Alibej në shenjë hakmarrje, pasi ky i fundit kishte krijuar bindjen se Runaj dhe Ramazani, kishin qëlluar mbi vëllain e tij, Enea Alibej me nofkën (Tarzani), dajën e tij Arben Dylgjeri dhe shokun turk Erdal Duranay. Erjon Alibej, besohet se ka paguar 100 mijë euro për të ekzekutuar Emiljano Ramazanin dhe shokun e tij, Regis Runaj, ngjarje të ndodhura në 20 dhe 29 korrik 2020 në qytetin e Elbasanit. Një fakt i tillë mbi vlerën e pagesës, ka dalë gjatë dëshmisë së bashkëpunëtorit të prokurorisë së Elbasanit, Euglen Halili, i cili u ka treguar hetuesve se nga bisedat që ka zhvilluar me bashkëpunëtorin në vrasje, Xhuljano Hoxha, ky i fundit i ka treguar se do merrnin 100 mijë euro, për të kryer vrasjen e Ramazanit dhe Regis Runaj.

Në dosjen hetimore thuhet se:”…Eugleni dhe Xhuljano kishin filluar shoqërimin me Regis Runaj rreth 10 ditë para ngjarjes. Qëllimi i këtij shoqërimi në dukje ka qenë që të krijonin marrëdhënie njohje dhe besimin se funksion të realizimit të qëllimit, pra të vrasjes së Regisit. Ditën e ngjarjes Eugleni dhe Xhuljano kanë lëvizur në lokal “Beni”, i cili ndodhet poshtë pallatit ku banonte Regis Runaj. Së bashku me Euglenin dhe Xhuljanon, kanë qënë dhe tre persona të tjerë. Eugleni ka shkuar në vend me motorin e tij së bashku me Regisin, ndërsa personat e tjerë kanë shkuar me automjetin në pronësi të Xhuljanos. Pasi konsumuan lëndë narkotike, tre personat e tjerë janë kthyer në këmbë. Ndërsa Eugleni dhe Regisi, janë kthyer me motor. Në drejtim të këtij motori ka qenë Regisi, ndërsa Eugleni ka qenë pasagjer në sediljen e pasme. Në një moment Eugleni, i ka kërkuar Regisit, që të ndalonte pak shpejtësinë e motorit. Dhe sapo Regisi, ka ulur shpejtësinë e motorit, Eugleni, e ka qëlluar me thikë në pjesën e qafës dhe më pas 27 herë të tjera në trup dhe kokë…”.

Bashkëpunëtori i prokurorisë deklaron se për të gjitha veprimet kriminale dhe skenarin se si do të realizoheshin vrasjet njoftohej Erjon Alibej, i cili kishte dhënë urdhrin dhe financuar vrasësit. Po kështu Eugleni dhe Xhuljano, me urdhër të Erjon Alibej, kanë mbajtur në vëzhgim Emiljano Ramazanin, i cili është vrarë në datën 20 qershor 2020, pranë banesës së tij. Për çdo lëvizje të Ramazanit, informohej Erjon Alibej, i cili gjatë kësaj kohe ishte në “arrest shtëpie”, pasi kishte qëlluar me armë në drejtim të Xhon Rustës. Emiljano Ramazani është ekzekutuar me 6 plumba, teksa po parkonte makinën e tij. Për këtë vrasje policia dhe prokuroria e Elbasanit, veç Euglen Halilit dhe Xhuljano Hoxha, kanë arrestuar babë e bir, Albert e Seit Manahasa, pasi në servisin e tyre u gjend pistoleta e vrasjes së Ramazanit.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?