Foto ilustruese

Urdhri i mjekëve kundër Aktit Normativ të Qeverisë: Jemi shmangur, tani shtojcë të Ministrisë! Të ribëhet ligji

9 Gusht, 14:07| Përditesimi: 9 Gusht, 14:20

  • Share

Urdhri i Mjekëve konsideron si të padrejtë Aktin Normativ të ndryshuar të Qeverisë së fundmi, që i shmang ata nga komisioni i ankesave dhe masave ndaj mjekëve apo infermierëve që bëjnë shkelje.

Reagimi vjen menjëherë pas botimit (7 Gusht) në Fletoren Zyrtare, të Aktit Normativ Nr. 2, vendim i marrë nga Qeveria në datë 01.08.2024, “Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin Nr. 123/2014 Për Urdhrin e Mjekëve në Republikën e Shqipërisë”.

“Para botimit në Fletoren Zyrtare ne nuk kemi dituar asnjë detaj mbi ndryshimet dhe shtesat që i ishin bërë ligjit tonë”, lajmëron urdhri dhe se si palë e interesuar direkt pritën të thirreshim në diskutimin e detajeve të ndonjë drafti.

UMSH deklaron se janë shmangur nga të gjitha diskutimet apo hartimet e ndryshimeve në ligj prej autoriteteve zyrtare, teksa apelojnë për rishikimin dhe ribërjen e këtij akti. Pra, nëse më parë shkeljet e bluzave të bardha trajtoheshin nga Urdhri si institucion i pavarur, ku propozoheshin dhe merreshin masa, me ligjin e ndryshuar ky Komision kontrollohet nga Ministria e Shëndetësisë.

“Me ndryshimet e reja ligjore, UMSH nga edukues kthehet në ndëshkues, nga ent publik jo buxhetor i pavarur profesional kthehet në një shtojcë apo department të Ministrisë së linjës. Miratimi i Kodit të Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore bëhet nga Ministria e linjës, përbërja, organizimi dhe funksionimi i komisionit të disiplinës dhe komisionit të apelimit rregullohet me vendim të këshillit të ministrave. Siç shihet, pavarësia humbet plotësisht, nuk ka asnjë element të vetrregullimit apo të vetqeverisjes profesionale, siç i kemi pasur në përputhje me ligjin dhe tiparet e homologëve ndërkombëtarë”, theksohet në reagimin e UMSH.

Ata nuk janë dakord as me klauzolat e tjera në ligjin e ndryshuar, e që kanë të bëjnë me veprimtarinë e institucioneve shëndetësore publike, kontrolli i sistemit të referimit, kontratat e punës, etj.

“Shihet qartë se ndryshimet ligjore bien ndesh me rolin, misionin dhe funksionin e UMSH-së. Këto ndryshime dhe shtesa prishin përputhshmërinë me homologët tanë ndërkombëtar”, vihet në dukje.

Për këtë shkak kërkohet edhe rishikimi:

“Duke theksuar për mos dakordësinë tonë të plotë me këto ndryshime ligjore, kërkojmë nga të gjithë organet ligjvënëse dhe ligjzbatuese ( Kuvendi i Shqipërisë, Qeveria, Presidenti i Republikës së Shqipërisë edhe si mjek) të ri shikohet ky akt normativ dhe përfaqësuesit tanë të jenë pjesë e konsultimeve për të bërë një ligj të ri për UMSH në kuadrin e përshtatjes së legjislacionit tonë, me atë të Bashkimit Evropian...”

Në fund Urdhri i Mjekëve lajmëron se do të thërrasë edhe Asamblenë Kombëtare, që do të shprehë qëndrimin zyrtar të tij.

A.Q/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?