TIRANË- Policia e Shtetit dha urdhër për të gjithë strukturat e policisë në vend për të fikur kompjuterët mesditën e sotme. Dyshimet ishin për një sulm kibernetik, ndaj për të marrë të gjitha masat dhe verifikimet e duhura, është urdhëruar që të fiken pajisjet në strukturat e policisë.
Por përmes një reagimi policia thotë se kemi të bëjmë me një procedurë në kuadër të forcimit të sigurisë.
"Lidhur me publikimet e ndryshme në media për një sulm kibernetik, Policia e Shtetit sqaron opinionin publik se në mënyrë të vazhdueshme, në bazë të një pune profesionale parandaluese, merr masa për forcimin e garantimin e sigurisë dhe mirëfunksionimin e sistemeve në përdorim. Sistemet në përdorim nga Policia e Shtetit vazhdojnë funksionimin e tyre normalisht", informoi sot policia e shtetit.
Ndërkohë, edhe faqja online e Policisë së Shtetit është e paaksesueshme.
Faqja e Policisë e paaksesueshme
Në 2022-shin, hakerët iranianë sulmuan sistemin TIMS që paralizoi për disa orë pikat e kalimit kufitar dhe sistemin MEMEX ku regjistrohen personat që janë nën hetim. Shqipëria u godit nga hakerat iranianë me disa sulme ndaj portaleve qeveritare shqiptare, si hakmarrje për strehimin e muxhahedinëve në Durrës. Sulmi u zmbraps në bashkëpunim me Microsoft dhe NATO dhe përveç bllokimit nuk pati dëmtime të pakthyeshme në sistemet dixhitale të vendit.