U investuan 17 mln euro, Urgjenca e QSUT-së 41 ditë pa shërbim! Mjeku: Trauma e Sanatoriumi s'i përballon, qytetarët tek privati! Hije dyshimi, s'ka transparencë

22 Mars, 14:43| Përditesimi: 22 Mars, 15:52

  • Share

Urgjenca e QSUT-së në Tiranë nuk funksionin që prej datës 11 shkurt 2024 kur ra zjarri në katin - 1. Qytetarët detyrohen të shkojnë për shërbimet e urgjencës tek spitali i Traumës apo Sanatoriumit. Kjo ka krijuar mjaft kaos për qytetarët pasi nuk marrin dot shërbimet që kanë të domosdoshme për shëndetin. 

Në ‘Përballje’ në Report Tv u diskutua kjo problematikë teksa pacientëve iu mohohet ndihma e shpejtë duke krijuar një ‘sorollatje’ sa tek Trauma dhe Sanatoriumi. Në këtë sorollatje marrin pjesë dhe mjekët e urgjencës së QSUT, të cilët ndahen sipas specifikave dhe duhet të shkojnë tek Trauma dhe Sanatoriumi.

I ftuar në studio, mjeku Besnik Jakaj tha se është dëmtuar qendra diagnostikuese e Urgjencës, por nuk ka transparencë nga ministria se çfarë ka ndodhur.

‘Të mos funksionojë urgjenca e QSUT e vetmja për ndërhyrje specifike, ku qytetarët duhet të shkojnë në për të marrë një shërbim të shpejtë dhe imediat. Është e rëndë dhe dramatike. Shpërndarja janë forma të modifikuara që nuk kryejnë funksionin e QSUT.  Zjarri ka rënë në katin -1 sipas lajmeve, por nuk ka transparencë nga ministria. Minus 1 është qendra diagnostike. 1 është urgjenca.

Nuk e përballon dot Trauma. Bën aq sa mund të bëjë. Nëse zjarri ka rënë në minus 1, aty ka skanera, është eko-ja. Qendra diagnostikuese e QSUT. Kemi pacientët pa qendër diagnostikuese të QSUT, e pacientët duhet t’i bëjnë në privat. Por kjo është luks për sistemin privat. Herë-herë thua se këtu ka bashkëpunim, marrëveshje’, tha Jakaj.

Gazetarja Keti Banushi, e ftuar në studio, shtoi se Prokuroria e Tiranës po heton atë që ka ndodhur dhe po merret me dokumentacionin për prokurimin që është bërë.  

‘Fillimisht u përcaktua që ishin shkak bateritë, u përcaktua si zjarr aksidental. Fakti që nga 11 shkurti nuk kemi qendër urgjencë dëmi do jetë më i madh. Në vitin 2018 ishte nënshkruar marrëveshja. Në atë kohë do përfundonte për 3 vite u zgjat për 3 vite të tjera. Prokuroria e Tiranës ka nisur me marrjen e dokumentacionit të nevojshëm dhe me dosjen e prokurimit.

Janë investuar 17 milionë euro dhe të mos funksionojë as për një vit patjetër do ketë edhe përgjegjës. Është drejtuesi i Prokurorisë së Tiranës që po heton, nisur nga informacionet janë duke marrë gjithë dokumentacionin e nevojshëm për prokurimin që është bërë.’, tha gazetarja.

Mjeku shtoi se është krijuar një situatë dramatike dhe këtë e paguajnë qytetarët.

‘Drejtuesit e QSUT dhe ministrisë kanë detyrë ligjore, të njoftojnë organet kompetente. Ky konspiracion që nuk e dimë shkallën e dëmtimit. Nuk kemi asnjë informacion zyrtar a ka njerëz të përfshirë në interesa. Është bërë dy herë urgjenca. Jemi në një situatë dramatike që e paguajnë qytetarët.’, shtoi Jakaj.

Për gazetaren janë dy arsye se pse akoma pas 40 ditësh urgjenca nuk është funksionale dhe nuk ka asnjë informacion nga institucionet shëndetësore apo ministria.

‘Kryesorja është që e ka nisur një prokurori. Nëse ka element që ta marrë SPAK do ta marrë. Kryesorja është të gjenden përgjegjësit e kësaj situate. Është një investim goxha i madh. Dy arsye janë, ose janë dëmtuar shumë aparaturat ose bëhet qëllimisht që qytetarët të shkojnë tek privati. Është kërkuar një riekspertim tjetër. Ekspertimi i parë ka përcaktuar bateritë.’, tha Banushi.

Sërish për mjekun është përgjegjësi ligjore, pasi menaxhimin e rasteve nuk mund ta bëjë as Trauam dhe as Sanatoriumi.

‘Problemi i menaxhimit është përgjegjësi ligjore. Ministria duhet të dilte në një deklaratë të paktën 6 orë pas zjarrit. Qytetarët i ke lënë në mëshirë të fatit të shkojnë tek privati. Trauma dhe Sanatoriumi nuk zëvendësojnë dot Urgjencën e QSUT’, nënvizoi mjeku.

Pikëpyetje e madhe mbetet heshtja e ministrisë së Shëndetësisë dhe fakti që po zgjatet kaq shumë e thellon më tej misterin e këtij zjarri.

G.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?